75 Mall Live Search
09:21 / E Enjte, 04 Shtator 2025 / b l

IPK-ja jep detaje për zyrtarin policor të arrestuar, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Inspektorati Policor i Kosovës më saktë Departamenti i hetimeve në kuadër të një hetimi të përbashkët me Policinë e Kosovës ka arrestuar mbrëmë një zyrtar policor me detyrë në Njësinë Speciale Operative (Divizioni i Njësive Speciale).

Atij me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë lidhur me dyshimin se ai ka kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Në kuadër të veprimeve hetimore dhe me autorizim të organeve të drejtësisë, hetuesit e IPK-së kanë kryer edhe bastisje në objektin e banimit në Vushtrri ku jeton i dyshuari.

IPK-ja në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e atij. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast. Me respekt; divizioni për bashkëpunim dhe informim-Inspektorati Policor i Kosovës.