IPK-ja rekomandon suspendimin e dy policëve që keqpërdorën detyrën

Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore lidhur me një rast në Rahovec, ku dyshohet se janë përfshirë dy zyrtarë policorë.
Pas këtyre veprimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të dy zyrtarëve policorë të stacionit policor t[ Rahovecit, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë.
Bazuar në të dhënat preliminare dhe provat e siguruara deri më tani, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Hetimet lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve eventualisht të kundërligjshme të zyrtarëve policorë të përfshirë.
Rekomandimi për suspendim të përkohshëm të zyrtarëve policorë është ndërmarrë me qëllim të mos-ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve” thuhet në njoftim.