75 Mall Live Search
14:53 / E Mërkurë, 06 Mars 2019 / indeksADMonline

IPK nis hetimet ndaj policisë për vrasjen e Abid Jasharit

Sot janë bërë një javë që kur 34-vjeçari, Abid Jashari u vra në Prishtinë nga miqtë e tij.

Lidhur me këtë rast që ndodhi në mes të ditës në rrugën ‘Haxhi Zeka’, i dyshuari Besnik Shkodra, 25 vjeçar u vetëdorëzua pas një dite në polici bashkë e armën e përdorur në rast.

Kërcënime i ndjeri kishte marrë një natë para se të vritej, ku edhe kishte lajmëruar rastin në polici përmes linjës emergjente për të treguar mosmarrëveshjen me mikun e tij, të dyshuarin Besnik Shkodra e më pas është paraqitur edhe në stacion policor.

Për këto zhvillime Inspektorati Policor ka pranuar nga Policia një raport lidhur me ecurinë e këtij rasti.

Në një përgjigje me shkrim nga IPK-ja për Indeksonline, bëjnë të ditur se po zhvillohet një hetim preliminar për zyrtarët policor të ndërlidhur me këtë rast. Mirëpo, deri tani IPK nuk ka bërë rekomandim për suspendimin e ndonjë zyrtari policor.

“Ankesa është përcjellë në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave dhe pastaj edhe në Departamentin e Hetimeve. Lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar një hetim preliminar dhe deri tani (për këtë fazë të hetimit) IPK nuk ka bërë rekomandim për suspendimin e ndonjë zyrtari policorë lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

IPK thotë se varësisht nga të gjeturat, do të merren edhe veprime përkitazi me rastin.

“Varësisht nga të gjeturat që do të dalin nga ky proces, Inspektorati Policor i Kosovës do të veproj në kuadër të autorizimeve ligjore për të vlerësuar veprimin apo mosveprimin e zyrtarëve policorë në këtë rast në konsultim me prokurorinë kompetente”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjën e tyre.

Vrasja e Abid Jasharit në rrugën ‘Haxhi Zeka’, Prishtinë

Policia ditë më parë kishte dhënë një sqarim përkitazi më këtë rast.

“Referuar procedurave pasi nuk ka pasur elemente për te hapur rast, personi A.J. është udhëzuar që për rastet e kërcënimeve të mëhershme nga miku i tij, me që mesazhet vinin nga Austria, t’i paraqes në stacionin policor “Veriu” Prishtinë, në zonën e banimit të tij, për ndërmarrje të veprime të mëtutjeshme policore. Personi A.J. rreth orës 03:30 është paraqitur në stacionin policor Veri , për të deklaruar lidhur me pretendime te tij për mesazhet kërcënuese, që i kishte pranuar përmes telefonit nga miku i tij i cili gjendej në Austri”, thuhej në sqarimin e PK-së.

Me që këto mesazhe kërcënuese kanë qenë indirekte, (pasi të njëjtat ishin dërguar në telefonin e bashkëshortes se tij, nga i njëjti është kërkuar që të ftohet bashkëshortja për t’i sjellë mesazhet kërcënuese dhe për të deklaruar lidhur me rastin. Më tej policia kishte thënë se sipas udhëzimeve të dhëna personi A.J. pasi gjatë kësaj kohe sipas tij ka qenë në orarin e punës, ka kërkuar nga policia për ta lënë një takim te radhës në po të njëjtin stacion, në po të njëjtën ditë rreth orës 07:00, ku do të sillte mesazhet dhe personin tjetër (bashkëshorten) për të dhënë deklaratë dhe për të hapur rastin.

Zyrtarët kompetent të PK-së, i kanë dhënë udhëzimet dhe sugjerimet e duhura konform autorizimeve dhe procedurave te parapara ligjore, që i njëjti sipas kërkesës së tij të paraqitet në stacionin policor së bashku me bashkëshorten e tij, në mënyrë që të ndërmerren me kohë të gjitha veprimet policore sipas dispozitave te parapara ligjore, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur fare në kohën e kërkuar nga vet ai.

Vrasja e Abidit ndodhi të mërkurën e kaluar rreth orës 13:00. Ai ka lënë pas vetes bashkëshorten dhe tre fëmijë./Indeksonline/