16:22 / E Mërkurë, 02 Nëntor 2022 / k.v

IPKO në hap me trendet botërore të energjisë së ripërtëritshme

Investon në energjinë e gjelbër, duke instaluar panele solare në ambientet e saj

Zhvillimi i qëndrueshëm është pjesë integrale e orientimit strategjik të IPKO-së. Menaxhimi gjithëpërfshirës i energjisë është një nga fushat kryesore të fokusit të kompanisë në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në ndërtimin dhe rinovimin e infrastrukturës, ku vëmendje e veçantë i kushtohet teknologjive moderne të kursimit të energjisë. Këtë vit, IPKO ka intensifikuar projektet e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë elektrike. Këto projekte, jo vetëm që do të ulin konsumin e energjisë elektrike nga rrjeti elektrik publik, por do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e ndikimit në mjedis gjatë prodhimit të energjisë elektrike, reduktimit të dioksidit të karbonit (CO2), e në këtë mënyrë duke ndikuar edhe në zbutjen e ngrohjes globale dhe të ndryshimeve klimatike.

Një projekt i tillë është implementimi i sistemeve solare në qendrën kryesore të të dhënave të IPKO-së. Krahas pilot projekteve tashmë të realizuara me kapacitete më të ulëta të prodhimit dhe përvojës pozitive nga zbatimi i tyre, IPKO ka vendosur të zgjerojë më tej sistemet ekzistuese solare, me fokus primar në qendrën kryesore të të dhënave.

Projekti kryesor, i cili është gati në përfundim të ndërtimit, mbi çatinë e deposë së IPKO-së në Fushë Kosovë, përfshinë 285 panele diellore, në një sipërfaqe prej 1212 m2. Ky sistem solar do të prodhojë më shumë se 200 mijë kWh në vit, apo 20% të shpenzimeve të energjisë së përgjithshme vjetore të qendrës kryesore të të dhënave. Nëse kjo sasi e energjisë elektrike prodhohet në termocentral, atëherë do të duheshin rreth 2350 pemë për të thithur këto emetime të dëmshme të CO2 nga ajri. Prandaj, ky sistem do të reduktojë emetimin e dëmshëm të CO2 në ajër me gati 60 mijë kg çdo vit.

Në të ardhmen, projektet e furnizimit me energji të ripërtëritshme nga panelet diellore, do të shtrihen edhe në pikat e stacioneve bazë të GSM, në mbarë Kosovën. Investime të tilla do të kenë ndikim pozitiv në krijimin e mjedisit të gjelbër, në zonat urbane dhe rurale.

IPKO, si kompani lidere në tregun e telekomunikimeve në Kosovë, e kupton përgjegjësinë që ka ndaj shoqërisë dhe natyrës, në të gjitha nivelet e biznesit të saj. Për shkak të krizës energjetike që ka kapluar gjithë botën, duke përfshirë edhe vendin tonë, IPKO vazhdimisht po përpiqet të ulë shpenzimet e brendshme të energjisë elektrike të kompanisë dhe të vendit në përgjithësi, dhe me këtë të ulë edhe ndikimet negative në mjedis. Paketa e reduktimit të shpenzimeve dhe burimeve të rinovueshme përfshinë edhe zëvendësimin e ndriçimit ekzistues me llampa efiçiente LED, projekt i cili arrin kursime mbi 120,000kW/vit të konsumit të energjisë, si dhe zëvendësimin e pajisjeve ekzistuese me teknologji të reja, me efiçiencë të lartë.

Menaxhimi i energjisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm si pjesë e shqetësimeve për mjedisin dhe në kohën e ndryshimeve rrënjësore në tregun global të energjisë, ai ka marrë edhe më shumë vëmendje.

IPKO, si lider në teknologji, do të qëndrojë gjithmonë në krye të përpjekjeve të tilla.