75 Mall Live Search
14:56 / E Premte, 31 Janar 2020 / indeksADMonline

Irakianët, protestojnë kundër planit të SHBA-së për Lindjen e Mesme

Një numër i madh irakianësh u mblodhën në Bagdad për të shprehur revoltën e tyre kundër të quajturit “Plani i paqes” për Lindjen e Mesme që këtë javë u shpalos nga presidenti amerikan Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Qytetarët irakianë u mblodhën në kompleksin “Imam Adham” pas namazit të xhumasë, duke mbajtur flamuj të Irakut dhe Palestinës dhe duke shprehur mbështetjen e tyre për kauzën palestineze.

Më 28 janar në Washington, pa përfaqësim të autoriteteve palestineze, presidenti amerikan Donald Trump shpalosi planin prej 80- faqesh së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, ndër të tjera, parasheh që Kudsi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Sipas planit, i quajtur nga Trumpi si “Marrëveshja e shekullit”, SHBA-ja po ashtu njeh vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa refugjatëve palestinezë u mohohet e drejta e kthimit në vendlindjet e tyre.

Gjatë shpalosjes së planit, Trumpi pohoi se ky është “shansi i fundit” për palestinezët për të pasur një shtet të pavarur.