08:06 / E Martë, 02 Nëntor 2021 / AR

Iraku i paguan 490 milionë dollarë dëmshpërblim lufte Kuvajtit

Iraku njoftoi dje se së fundmi ka paguar 490 milionë dollarë amerikanë si dëmshpërblim lufte për Kuvajtin.

“Iraku pagoi 490 milionë dollarë kompensim nga shuma e përcaktuar nga OKB-ja për pushtimin e Kuvajtit nga regjimi i rrëzuar në fillim të viteve 1990”, tha në një deklaratë ambasada irakiane në Kuvajt.

“Iraku do të punojë për të paguar shumën e mbetur të kompensimit [629 milionë dollarë] në fillim të vitit 2022”, shtohet në deklaratë.

Në vitin 1991, OKB-ja e detyroi Bagdadin të paguante 52.4 miliardë dollarë kompensim për individët, kompanitë, organizatat qeveritare dhe të tjerët që pësuan humbje si rezultat i pushtimit irakian të Kuvajtit.

Iraku ndaloi pagesën e kompensimit në vitin 2014 për shkak të luftës kundër Daesh/ISIS, i cili kontrollonte një të tretën e vendit, por rifilloi pagesat në vitin 2018./Indeksonline/