18:47 / E Mërkurë, 14 Prill 2021 / Blerim

Irani i ofron Azisë Qendrore rrugë për të hyrë në ujërat ndërkombëtare

Vizita e fundit pesëditore e ministrit të Jashtëm iranian, Javad Zarif, në pesë vendet e Azisë Qendrore kishte për qëllim të kujtonte rëndësinë e vendit të tij si tranzit kryesor dhe pika e tregtisë për rajonin.

Derisa u përpoq të luftonte kufizimet e vendosura nga sanksionet shumë vjeçare, udhëtimi i Zarif nga 3-8 prill dha mjaft tregues se Teherani aspiron të marrë rolin për të lidhur shtetet pa dalje në det të Azisë Qendrore në ujërat ndërkombëtare. Është e qartë se ndikimi iranian në Azinë Qendrore nuk është mjaft i konsiderueshëm, pohon Igor Pankratenko, nga Qendra Ruse e Vlerësimit Strategjik dhe Prognozës. Gjatë të kaluarës, jo vetëm disa projekte ekzistuese iraniane janë kufizuar, por tregtia gjithashtu është ulur në minimum, duke çuar në rënien e ndikimit politik të Teheranit në rajon.

Komentatori iranian Hassan Beheshtipour thekson se një pengesë kryesore për zhvillimin e marrëdhënieve të Iranit me vendet e Azisë Qendrore në vitet e fundit përveç sanksioneve ishte qasja e qeverisë së presidentit Hassan Rouhani, e cila nuk e vendosi Azinë Qendrore në prioritetet e saj të politikës së jashtme.

Rusia preferon që Nisma e Brezit dhe Rrugës e Kinës (BRI) duhet të kalojë nëpër territorin e saj për të tërhequr investimet në infrastrukturë dhe për të kërkuar pjesë të konsiderueshme në formën e tranzitit nga tregtia, duke lëvizur nga Kina në Evropë dhe anasjelltas. Kjo është një nga arsyet për rinovimin e hekurudhës trans-Siberiane dhe projektit rrugor. Pritje tjetër nga ana e Rusisë është që mallrat kineze që do të mbërrijnë në Kazakistan duke u drejtuar për në Evropë duhet të kalojnë përmes territorit të saj duke përdorur rrugën veriore në vend të rrugës jugore.

Që mallrat kineze të arrijnë në Evropë, dy linja hekurudhore janë nën operacion. Njëra është përtej Urës Tokësore Euroaziatike që kalon përmes veriut të Detit Kaspik përmes Rusisë. Një rrugë alternative kalon në jug të Detit Kaspik përmes Iranit, gjë që i bën Moskën dhe Teheranin të konkurrojnë në ofrimin e tranzitit.

Pavarësisht se përballet me vështirësi ekonomike, Zarif kujtoi se fqinjët janë një prioritet për vendin e tij duke eksploruar parashikimet për bashkëpunimin ekonomik, zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe opsionet për përparimin e ardhshëm të projekteve të reja të zhvillimit. Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, pretendoi se nëse marrëveshja e fundit e Iranit me Kinën funksionon, atëherë muri i sanksioneve që SHBA-ja kanë ndërtuar kundër Iranit do të përballet me një dëm të madh. Për më tepër, ky mur mund të shembet plotësisht nëse Irani i bashkohet Unionit Ekonomik Euroaziatik (EAEU) si një anëtar i përhershëm.

Në Tashkent, ministri i Jashtëm iranian diskutoi mundësitë e përdorimit efektiv të porteve iraniane dhe zhvillimin e korridorit të transportit Uzbekistan-Turkmenistan-Iran-Oman. Çështjet e projekteve të transportit dhe logjistikës ishin pjesë qendrore e diskutimeve të ministrit të Jashtëm iranian pasi Irani synon të lidhet me Kinën nga toka përmes Azisë Qendrore.

Tranziti tregtar afgano-iranian

Në Tashkent, çështja e ndërtimit të linjës hekurudhore Kinë-Kirgistan-Uzbekistan, që është thelbësore për Iranin, u diskutua gjithashtu. Irani ka treguar interes për të pasi kjo trajektore do të lidhë korridorin Uzbekistan-Afganistan-Iran. Një pjesë e këtij projekti lidh qytetet afgane Mazar-i-Sharif dhe Herat me portin iranian Chabahar.

Në kryeqytetin e Kirgistanit, Bishkek, Zarif përsëriti gatishmërinë e Iranit për bashkëpunim gjithëpërfshirës në fusha të ndryshme, duke përfshirë bujqësinë, prodhimin e ilaçeve, ndërtimin e termocentraleve të vogla dhe të mesme dhe rifillimin e fluturimeve midis dy vendeve.

Ai po ashtu u tha nikoqirëve të tij në Azinë Qendrore se Irani ndan shumë qëllime me ta në lidhje me stabilitetin rajonal dhe çarmatimin bërthamor. Vizita e tij gjithashtu ndoqi pozicionimin e Iranit në aspekt të interesit të ndërsjellë në lidhje me sigurinë rajonale, veçanërisht përpjekjet për promovimin e procesit të paqes në Afganistan.

“Në këto takime, çështjet rajonale, veçanërisht kriza afgane, po ashtu u diskutuan duke theksuar nevojën për të respektuar vullnetin e popullit afgan dhe arritjet e tyre, nevojën për të siguruar demokraci të vazhdueshme dhe ekuilibrin etnik dhe gjuhësor në të ardhmen politike të vendit”, tha Zarif në Astana.

Ai tha se përdorimi paqësor i Detit Kaspik u diskutua me Kazakistanin, i cili gjithashtu miratoi përfshirjen e Iranit në EAEU, i cili është një union ekonomik i shteteve të vendosura në Evropën Lindore, Azinë Qendrore dhe Perëndimore.

Ministri i Jashtëm iranian tha se ndërtimi i rrugëve hekurudhore dhe tranzitore të përbashkët për të lidhur Iranin dhe Kazakistanin dhe fqinjët e tjerë po ashtu u eksploruan gjatë vizitës. Ai tha se prania e Kazakistanit në qytetin kufitar iranian Incheh Borun në provincën Golestan, Bandar Abbas dhe portet Chabahar vlerësohen nga Teherani. Ai tha se vendi i tij do të jetë i lumtur të shërbejë si një rrugë për Kazakistanin për të arritur në ujërat ndërkombëtare.

Gjatë vizitës, Zarif shprehu gatishmërinë e Iranit për promovimin e bashkëpunimit në fusha përfshirë lehtësimin dhe zgjerimin e tregtisë, zgjerimin e rrugëve të transportit, forcimin e turizmit dhe shfrytëzimin e kapaciteteve teknologjike dhe njerëzore, veçanërisht të të rinjve.

Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.