19:22 / E Diele, 09 Qershor 2019

Irani mbyll 547 restorante

Policia iraniane ka mbyllur 547 restorante dhe kafene në Teheran, pasi nuk respektuan “parimet islame” dhe me atë rast arrestuan 11 vetë, tha shefi i policisë Hosein Rahimi.

Mediat iraniane njoftuan se ky aksion zgjati 10 ditë për shkak të mosrespektimit të “parimeve islame”, “reklamimit jokonvencional në hapësirën kibernetike”, dhe lëshimin e muzikës së ndaluar.

Gjykata e Teheranit, e cila merret me “krimin kulturor dhe korrupsionin social dhe moral”, u bëri thirrje qytetarëve të Teheranit që të raportojnë raste të sjelljes imorale duke dërguar SMS.

Sipas kodit të veshjes islamike, gratë mund të tregojnë fytyrën, duart dhe këmbët në publik dhe mund të mbajnë vetëm ngjyra që nuk bien në sy.

Shtatë vjet më parë, qeveria urdhëroi kafenetë të instalojnë kamera për të monitoruar sjelljen e mysafirëve, por disa pronarë vendosën të mbyllnin lokale.