Irani, mijëra arrestime brenda pak javësh: Khamenei shfaqet sërish në publik

Dy turistë të rinj të quajtur Alireza Karbasi dhe Mehdi Abai u vranë nga plumbat e forcave Basij gjatë operacionit “Luftojmë kundër Mossad-it”, në luginën Hamadan.
Në një fshat në Sistan-Baluchistan, njëmbëdhjetë gra u plagosën nga të shtënat e Gardës Revolucionare Islamike. Një tjetër u vra. Një regjisor nga Shirazi, Negin Aminzadeh, u arrestua. Raquel Ataian, një vajzë nga komuniteti Bahá’í, u burgos dhe u transportua në një vend të panjohur. Dy të rinj kurdë, Seyyed Kamal Ebrahimi dhe Younes Tanhayi, u kapën nga agjentët e inteligjencës. Edhe Younes Tanhayi, baba i dy fëmijëve dhe banor i fshatit Hamzaabad pranë Mahabadit, u burgos. Një çift nga Saqaz u arrestua nga forcat e sigurisë. Farzad Garmabian, 23 vjeç nga Teherani, u vra.
Pas bombardimit të burgut Evin, autoritetet transferuan të paktën 13 të burgosur të huaj në burgun Fashafoyeh. Gjithashtu, 60 të burgosur politikë u zhvendosën në burgun Ghartchak në jug të Teheranit. Ka frikë për sigurinë e tyre.
Postimet e terrorit
Që nga 24 qershori, pas përfundimit të “Luftës së 12 ditëve”, aplikacionet e mesazheve janë mbushur me emra të qytetarëve të arrestuar, të zhdukur, të varur apo të vrarë. Mesazhe paralajmëruese si “Kujdes në pikën e kontrollit” ose “Dy djem kurdë mungojnë” qarkullojnë pa ndërprerje. Ditë e natë, njerëzit ndajnë informacion për të gjurmuar të humburit ose për të shmangur arrestimin.
Një gazetar iranian shkroi për Corriere: “Që kur nisën bombardimet izraelite mbi Teheranin, e kemi thënë: nëse regjimi islamik mbetet në këmbë, do të kthehet kundër nesh.” Dhe kështu ndodhi. I dobësuar jashtë vendit, regjimi i Ali Khamenei, i cili u shfaq për herë të parë në publik që nga nisja e luftës me Izraelin, ka rikthyer represionin brenda kufijve, ndaj popullit iranian.
Represion dhe akuza
Të dobësuar dhe paranojakë si kurrë më parë, pas armëpushimit më 24 qershor, ajatollahët kanë intensifikuar arrestimet në gjithë vendin. Akuza për të gjithë: “bashkëpunim me armikun”, që nënkupton Izraelin, Mossad-in, SHBA-të dhe vendet “armike”. Arrestohen të konsideruarit si disidentë, mjafton një postim në rrjete sociale, si dhe individë nga pakicat etnike dhe fetare.
Në ditët e fundit, janë burgosur edhe 50 persona në operacione të reja policore, me akuzën e bashkëpunimit me Izraelin. Aksionet janë zhvilluar në rajonet kurde dhe baluçe, ku veprojnë lëvizje separatiste. Opozita raporton presione ndaj komuniteteve hebraike dhe Bahá’í, të cilat shihen si të dyshuara për lidhje me “sionistët”.
Makthi i spiunazhit
Brenda tre javësh, regjimi ka burgosur mbi 1.000 persona. Parlamentit iranian ka miratuar një ligj që parashikon dënimin me vdekje për ata që akuzohen për spiunazh. Proceset gjyqësore zhvillohen pa avokatë të pavarur dhe pa transparencë.
“Si një kafshë e plagosur, Republika Islamike reagon ndaj kërcënimit me një brutalitet ekstrem,” thotë Hadi Ghaemi nga Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran. “Autoritetet arrestojnë pa shkak dhe dënojnë njerëzit për ‘rrezik për sigurinë kombëtare’ si mjet frikësimi.”
Errësira informative
Internetin e fikin për të shmangur gjurmimin dhe për ta zhytur Iranin në errësirë. Ndalohet ndarja e informacioneve me mediat e huaja, postimi i fotografive pas bombardimeve, dhe sigurisht, kritika ndaj regjimit, që mund të çojë drejt ekzekutimit.
Ka shqetësim edhe për dy studiuesit francezë, Cécile Kohler dhe Jacques Paris, të burgosur prej gati tre vitesh në Evin. Ata tashmë akuzohen për “korrupsion, aktivitet spiunazhi për Izraelin” dhe “komplote për rrëzimin e shtetit”, akuza që mund të çojnë në dënim me vdekje dhe shërbejnë si kartë presioni ndaj Francës.
Teherani vazhdon të përdorë pengmarrjen e qytetarëve perëndimorë si instrument për pazare me Perëndimin. Sipas versionit zyrtar, janë kapur të paktën tre të huaj që po mblidhnin informacion mbi objektet ushtarake.
Gjatë ditëve të luftës, autoritetet kanë arrestuar edhe dhjetëra afganë të dyshuar për spiunazh për Izraelin. Rreth pesë milionë afganë jetojnë në Iran dhe vetëm në muajin qershor janë dëbuar 256 mijë. Mediat zyrtare thonë: “spiunazh”.