12:58 / E Diele, 15 Tetor 2017 / indeksADMonline

Irani mohon se ka mbyllur kufirin me Irakun

Irani mohoi raportimet e mediave se Teherani ka mbyllur kalimin kufitar me Irakun, si një kundërpërgjigje ndaj referendumit të pavarësisë në rajonin kurd të Irakut muajin e kaluar.

“Siç kemi paralajmëruar më herët, ne vetëm kemi bllokuar hapësirën tonë ajrore me rajonin kurd pas një kërkese nga qeveria qendrore e Irakut dhe për aq sa di unë, asgjë tjetër nuk kemi mbyllur”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Bahram Qassemi.

Agjencia e lajmeve të Iranit “Tasnim”, orë më parë njoftoi se autoritetet iraniane kanë mbyllur kalimin kufitar kryesor me rajonin kurd të Irakut.

Irani muajin e kaluar ndaloi fluturimet nga rajonet kurde në Irakun e veriut, për shkak të referendumit të pavarësisë nga qeveria rajonale autonome e Kurdistanit (KRG).

Teherani frikësohet nga përhapja e separatizmit në popullatën e vet kurde, që ka rreth 8 milionë./AktivPress