10:45 / E Martë, 11 Qershor 2019 / indeksADMonline

Irani ndalon aktivitetet e korrespondentit të New York Times

Irani ka ndaluar aktivitetet gazetareske të korrespondentit të New York Times në Teheran, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të New York Times, administrata iraniane, pa dhënë arsyetim ka anuluar akreditimin e korrespondentit të gazetës në Teheran, Thomas Erdbrink, si dhe ka ndaluar aktivitetet gazetareske.

Shtetasi holandez Erdbrink i cili që nga viti 2012 është gazetar në Iran, nuk mund të zhvillojë aktivitete gazetareske që nga muaji shkurt për arsye se akreditimi i tij është anuluar nga qeveria e Iranit.

Edhe televizioni shtetëror iranian konfirmoi se akreditimi i gazetarit holandez të New York Times nuk është zgjatur që nga muaji shkurt.

Administrata e Teheranit në vitin 2015 kishte dënuar me burg korrespondentin e Washington Post për Teheranin, Jason Rizaiyan me akuza për spiunazh. Ai ishte liruar në janar të vitit 2016 kur hyri në fuqi marrëveshja bërthamore, në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve mes Iranit dhe SHBA-së.