75 Mall Live Search
20:00 / E Premte, 06 Shkurt 2026 / MSH1

Irani nuk heq dorë nga programi bërthamor

Irani nuk ka pranuar të heq dorë nga programi i tij për pasurim të Uraniumit që mund të sjell prodhimin e armëve bërthamore, por Shtetet e Bashkuara duan që të vijojnë negociatat.

Ky ishte përfundimi i ditës së parë të bisedimeve mes Teheranit dhe Uashingtonit sipas asaj që raporton media amerikane, Axios.

Përpjekjet diplomatike dhe ulja e palëve në tryezën e negociatave vjen teksa Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur një armadë të madhe në Lindjen e Mesme në gatishmëri për të sulmuar Iranin. Teherani ka paralajmëruar se një lëvizje e tillë do të sillte një luftë më të gjërë rajonale.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi për televizionin shtetëror pas përfundimit të bisedimeve se negociatorët do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime, duke e cilësuar takimin si “një fillim të mirë”.

Teherani kishte deklaruar më parë se bisedimet do të kufizoheshin vetëm në programin bërthamor të Iranit. Ndërkohë, Uashingtoni ka kërkuar që në tryezë të përfshihen edhe programi i raketave balistike të Iranit dhe mbështetja që ai u jep grupeve të armatosura në rajon.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkura dhe Iranit ishin në strukturën që njihet si bisedime indirrekte.

Ministri i Jashtëm i Omanit ishte ai që bisedo me secilën pale vec e veç duke përçuar tek secila prej tyre mesazhet e njëri tjetrit.

Irani u përfaqësua në këto bisedime nga ministri i jashtëm, Abas Aragchi ndërsa Shtetet e Bashkuara nga i dërguari special për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, si dhe nga Jared Kushner.

Raundi i fundit i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor ishte planifikuar për në qershor të vitit të kaluar, por u ndërpre pas sulmit të papritur të Izraelit ndaj Iranit.

Sipas analistëve ushtarak , për udhëheqjen iraniane këto bisedime mund të përbëjnë shansin e fundit për të shmangur një veprim ushtarak amerikan që mund të destabilizojë më tej regjimin, i cili ndodhet në pozitën më të dobët që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.