09:40 / E Enjte, 27 Maj 2021 / AR

Irlanda përdor termin “aneksim de facto” për territoret e pushtuara palestineze nga Izraeli

Parlamenti i Irlandës ka mbështetur propozimin i cili dënon “aneksimin de facto” të territoreve palestineze nga Izraeli, transmeton Anadolu Agency (AA).

Propozimi i paraqitur nga partia Sinn Fein në opozitë u votua në Parlament pas mbështetjes edhe nga partitë e tjera.

Në këtë mënyrë Irlanda bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian (BE) e cila përdor termin “aneksim de facto” lidhur me veprimet e Izraelit në territoret palestineze nën pushtim.

Ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney të cilit iu bë presion nga deputetët për dëbimin e ambasadorit izraelit në Dublin, Ophir Kariv, gjithashtu ka dhënë mbështetje ndaj propozimit. Ai dënoi trajtimin izraelit ndaj palestinezëve në territoret nën pushtim duke i konsideruar si “pabarazi të qartë”.

Ai theksoi se propozimi “është një shenjë e hapur e thellësisë së ndjenjave në gjithë Irlandën”.

“Masa, shpejtësia dhe natyra strategjike e veprimeve të Izraelit për zgjerimin e vendbanimeve dhe qëllimi pas saj, na ka sjellë neve në një pikë ku duhet të jemi të drejtë për atë që po ndodh në të vërtetë në terren. Kjo është një aneksim ‘de facto'”, tha Coveney

Coveney, në javët e kaluara ka përfaqësuar Irlandën në diskutimet e zhvilluara lidhur me Izraelin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB). Ai insistoi që propozimit t’i shtohej një nen që do të dënonte sulmet e fundit me raketa të Hamasit ndaj Izraelit, por kjo u refuzua nga partia Sinn Fein në opozitë.

Liderja e partisë Sinn Fein, Mary Lou McDonald në një postim në Twitter tha se “Propozimi duhet të shënojë një përballje të re, pretenduese dhe të qëndrueshme kundër krimeve që Izraeli ka kryer ndaj Palestinës”.