Isa Mustafa bëhet bashkë me Qeverinë, kundër BE-së
I pari i LDK-së, Isa Mustafa e ka kundërshtuar kërkesën e BE-që që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun e Serbinë. Kreu i partisë më të madhe opozitare si rrallë herë është orientuar krahas Qeverisë së Kosovës. Mustafa ka thënë se LDK është unike karshi interesave jetike të vendit.
“Më habiti kërkesa e BE-së që çështja e Trepçës të trajtohet në dialogun e Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës.
Në mandatin, kur unë isha Kryeministër i vendit, përgatitëm dhe aprovuam Ligjin për Trepçën, duke e shpëtuar këtë simbol ekonomik të vendit nga falimentimi dhe privatizimi. Deputetët e LDK-së votuan para disa ditësh Statutin e Trepçës, i cili mori 2/3 e votave në Kuvend. Kjo flet për unitetin tonë karshi interesave jetike të vendit.
Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë” shkruan Mustafa në Facebook./Indeksonline/