75 Mall Live Search
13:36 / E Premte, 13 Nëntor 2020 / OSH

Isa Mustafa “ftohë gjakrat” me partnerët qeverisës: Do flasim me Listën Serbe, edhe AKR na ka premtuar votat në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Ka pasur luhatje të qëndrimeve ditëve të fundit në Qeverinë e Hotit. Së fundi, Lista Serbe ka kërcënuar me dalje nga Qeveria, në rast se vazhdon të ketë mospërfillje, siç ata e quajnë. Por, Isa Mustafa nuk e sheh aq të tensionuar situatën në koalicionin qeverisës.

Si një politikan me përvojë të gjatë, kreu i LDK-së në një deklaratë dhënë për Indeksonlinen, ka bërë thirrje që të gjendet një zgjidhje për t’u tejkaluar pengesat.

Mustafa për Indeksonlinen ka përmendur edhe fjalët që qarkullonin se AKR-ja nuk e mbështet Qeverinë me votat e saj, duke thënë të kundërtën.

“Koalicioni është çështje e vullnetit. Deri tani Lista Serbe ka qenë korrekte si partnere. Do të diskutojmë që të tejkalohen ankesat e tyre. Të gjenden zgjidhjet, për aq sa mund të gjenden. Për çdo gjë na nevojitet më shumë komunikim dhe mirëkuptim.

Kishte fjalë se edhe AKR-ja nuk do ta mbështesë Qeverinë. Unë jam informuar nga z. Pacolli, se deputetët e AKR-së e votojnë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike. AKR-ja ka qenë shumë konstruktive dhe mbështetëse në këto procese të rënda që po i kalojmë”, ka thënë Mustafa për Indeksonlinen.