Isa Mustafa kujton Rugovën: Na e thoshte vazhdimisht, miqësi të përhershme me SHBA-në

Në 15-vjetorin e vdekjes së presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka përkujtuar atë.
Mustafa e ka quajtur Rugovën largpamës dhe njeri të përmasave të larta.
“Në janarin e acartë të vitit 2006, iku në amshim shkrimtari, studiuesi i letërsisë, lideri dhe presidenti historik dr. Ibrahim Rugova.
Intelektuali, politikani i urtë dhe mendimtari i thellë me mençuri dhe guxim kishte projektuar qartë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi themelet e shtetit tonë mbi parimet: Liri, pavarësi dhe demokraci.
Sot, kujtojmë themeluesin e LDK-së dhe kryetarin e saj të pavdekshëm, dr. Ibrahim Rugova.
Pesha historike e Rugovës është e rëndësisë më të veçantë ngase ai do të mbetet lideri historik, që e ndërkombëtarizoi si dhe e bindi botën demokratike që të çlirohet Kosova nga okupimi serb, të themelohet shteti dhe të shpallet pavarësia.
Ai është arkitekt i shtetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Urtësia dhe largpamësia e tij, na duhet edhe sot dhe na ndjek gjithmonë në rrugëtimin tonë politik.
LDK-ja në vazhdimësi ka shprehur zotimin e saj se do të punojë me përkushtim për zhvillimin e vendit, vizion ky i presidentit historik dr. Ibrahim Rugova.
Trashëgimia politike që ai la pas është bazament i shtetit të Kosovës. Duke e zhvilluar vendin tonë, duke ruajtur miqësitë e tij që i krijoi në botë, e ruajmë këtë trashëgimi, e cila është emblema më e mirë e Kosovës sonë të sotme dhe të ardhshme.
Testamenti politik i Rugovës ishte ruajtja dhe kultivimi i raporteve me vendet mike dhe përkrahëse të Kosovës, në veçanti siç e thoshte presidenti shumë herë: miqësi e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këtë miqësi LDK-ja do të vazhdojë ta ruajë dhe kultivojë edhe më tej, sepse nuk kemi alternativë tjetër.
Lavdi jetës dhe veprës së Gandit të Ballkanit, presidentit historik dr. Ibrahim Rugova!” shkruan Mustafa./Indeksonline/