14:28 / E Enjte, 01 Tetor 2020 / indeksADMonline

Isa Mustafa mohon zërat për zgjerim koalicioni: Qeveria e Hotit është stabile si ditën e parë të themelimit

Stabiliteti i Qeverisë së Hotit është vënë në dyshim ditëve të fundit për shkak se njëri nga deputetët e shumicës parlamentare Etem Arifi tashmë ka disa kohë që nuk është  duke ushtruar funksionin e tij prej deputeti për shkak të dënimit që ka marrë në lidhje me keqpërdorimet me subvencione, raporton IndeksOnline.

E mungesa e tij ka ngjallur zërat se tashmë Avdullah Hoti dhe LDK-ja duhet të mendojnë për zgjerimin e koalicionit qeveritar.

Mirëpo në një përgjigje për IndeksOnline, kryetari i LDK-së, Isa  Mustafa, ka thënë se Qeveria është stabile dhe se deputeti Arifi, i cili tashmë është në vuajte dënimi, do të zëvendësohet me një deputet që vjen nga partia e tij.

“Sa i përket stabilitetit të Qeverisë, mendoj se ajo është e qëndrueshme, si ditën e parë kur është themeluar. Deputeti i cili ka shkuar në mbajtje të dënimit, zëvendësohet sipas procedurave ligjore me kandidatin që pason nga partia e tij”, tha Mustafa për IndeksOnlinen.

Mustafa mohoi ndër të tjera mbajtjen e një takim të kryesisë apo organeve të tjera të partisë, në lidhje me mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeveritar.

“Takim nuk kemi sot”, ishte përgjigjja e tij.

Sa i përket dështimit  për katër herë radhazi të votimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ka thënë se  mosvotimi i këtij ligji është papërgjegjësi absolute e pozitës dhe opozitës.

“Sa i përket Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, konsideroj se natyra e këtij ligji prek pozitën dhe opozitën, sepse ka të bëjë me të gjithë qytetarët dhe me bizneset në Kosovë. Mosvotimi i këtij ligji është papërgjegjësi absolute e pozitës dhe opozitës. Nëse ka pasur forcë dhe arsye të votohet Ligji kundër Covidit-19, pse të mos te votohet Ligji që shëron pasojat nga Covidi-19. Me këto gjëra nuk bëhet politikë, por edhe nuk bëhen pazare”, përfundoi Mustafa./IndeksOnline