75 Mall Live Search
09:17 / E Hënë, 09 Mars 2026 / Z S

Isa Mustafa: Osmani veproi drejt me shpërndarjen e kuvendit

Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se presidentja Vjosa Osmani, për të “rrallën herë” gjatë mandatit të saj ka vepruar drejt me shpërndarjen e kuvendit.

“Në këtë rast ndaj bindjen se presidentja Osmani ka vepruar drejt me shpërndarjen e kuvendit për të rrallën herë në mandatin e saj”, ka thënë Mustafa për VOX Kosova.

Ish-Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thekson se “te ne, Kushtetuta lexohet me syze të ndryshme”, por megjithatë konsideron se “është mirë që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht sulmeve që i bëhen kësaj gjykate”. 

“Unë e shoh se Kushtetuta e përcakton qartë se presidenti zgjedhet më së largu 30 ditë pa skaduar mandati i presidentit aktual”, potencon ai, duke i dhënë të drejtë presidentes për vendimin e saj.

Osmani, të premten, në një konferencë për media, njoftoi se e ka shpërndarë kuvendin pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit të enjten, kur ishte edhe afati i fundit për ta zgjedhur të parin e shtetit.

Seanca dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Në sallën ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë – ata të koalicionit qeverisës: Lëvizja Vetëvendosje dhe ata të komuniteteve jo shumicë jo serbë – nga 80 sa duhet të marrin pjesë në votim.

Nga VV-ja e kundërshtuan dekretin për shpërndarjen e kuvendit. Albin Kurti dhe vartësit e tij pretenduan se është antikushtetues dhe kanë thënë se presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Nga ana tjetër, partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – thanë se shpërndarja e kuvendit është në përputhje me Kushtetutën.

Të premten, presidentja Osmani, të cilës i kanë mbetur më pak se një muaj në zyrën e presidencës, thirri në takim krerët e partive politike për të diskutuar datën e zgjedhjeve të reja.

Nga partitë shqiptare, shkuan të gjithë liderët e partive opozitare – Bedri Hamza i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së. Mungoi vetëm Albin Kurti i VV-së./Indeksonline/