Ish-ambasadori shqiptar në NATO: Politika e Kosovës të reflektojë në raport me ShBA-në

Ish-ambasadori i Shqipërisë në NATO, Visho Ajazi Lika, komentoi vendimin e Shteteve të Bashkuara për të pezulluar pa afat dialogun strategjik me Kosovën.
Ai e cilësoi këtë si një lajm të keq për politikën e Kosovës por jo të papritur, duke theksuar nevojën për reflektim të menjëhershëm nga autoritetet për të riparuar marrëdhëniet me aleatin kryesor, ShBA-në.
“Lajm i keq, por jo i papritur. Besoj që është imediate që për klasën politike të Kosovës të marrin masa që ky pezullim të pezullohet sa më shpejt. Lexova deklaratën e Presidencës së Kosovës dhe shpresoja se do punohej për t’u përmirësuar, por pa asnjë propozim konkret. Më shqetëson ky fakt pasi ShBA-të janë mbështetësit kryesorë në mbrojtje të Kosovës”, tha Ajazi në “Euronews Albania”.
Ish-ambasadori thotë se në kohën kur ka drejtuar misionin në NATO, ShBA-ja ka mbështetur shumë Kosovën, veçanërisht në formimin e Ushtrisë. Ai kërkon reflektim nga politika.
“Gjatë mandatit tim kam vënë re që Kosova ka qenë shumë e mbështetur nga ShBA-të, veçanërisht në formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Politika duhet të reflektojë. Duhet të jemi të përgatitur që vullnetin e mirë amerikan, por Trumpin kryesisht, ta kemi shumë në konsideratë”, tha Visho Ajazi Lika.
Vendimi për pezullimin e Dialogut Strategjik, sipas ambasadës amerikane në Prishtinë, erdhi “për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta”.