Ish-anëtari i UÇK-së thotë se nuk e beson kurrë se Salih Mustafa mund të ushtrojë dhunë ndaj dikujt

Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopi, në gjykimin e së mërkurës, ka deklaruar se nuk e beson kurrë se Salih Mustafa mund të ushtrojë dhunë ndaj dikujt.
“Salih Mustafën e njoh edhe para lufte e kam njohur si ish i burgosur politik dhe njeri që ka përjetuar torturat më çnjerëzore nga pushteti serb dhe nuk besoj kurrë se i njëjti mund të ushtroj dhunë ndaj dikujt për asnjë arsye dhe për asnjë rast. Kurrë në jetën time nuk kam dëgjuar diçka të tillë për bashkëluftëtarin tim, Salih Mustafën”, ka thënë Sopi.
Këtë deklaratë e ka dhënë në gjykimin që po zhvillohet ndaj Salih Mustafës për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari Sopi ka thënë se në kompleksin e Zllashit, në prill të vitit 1999, nuk është i sigurtë a ka pasur rrymë elektrike, pasi tha se probleme me rrymë atë kohë ka pasur në gjithë fshatin.
Ai ka deklaruar se stacioni elektrik në Obiliq ka qenë i menaxhuar nga serbët.
“Nuk jam i sigurtë në atë kohë në çfarë kohe ka pas rrymë e në çfarë kohe jo. Kohën më të gjatë thuajse na kanë lënë në terr”, ka thënë Sopi.
Avokati Julius Von Bone ka pyetur dëshmitarin Sopi nëse kishte ndonjë pengesë që duhej kaluar për të hyrë në kompleksin në Zllash, e ky i fundit tha se nuk i kujtohet.
Ndërkaq, tha se nëse dikush prej njerëzve, kalimtarë të rastit, ka dashur të hyj dhe nuk ka qenë i njohur, në çdo bazë u është kërkuar një mjet identifikimi pasi duhet të identifikoheshin.
“Nëse kushdo, cilido do të hynte aty, qoftë edhe një anëtar i panjohur i UÇK-së do të duhej të identifikohej ky person apo nuk ishte i nevojshëm?”, ka pyetur avokati Von Bone, e dëshmitari tha se në raste të tilla duhej të identifikohej.
Ai tha se secila bazë e UÇK-së është mbrojtur nga anëtarët e saj që kanë qenë brenda dhe ai anëtar i UÇK-së kur dikush shkon të identifikohet ka qenë roja i objektit aty.
“Rojet janë ndërru çdo tetë orë. Ushtarët të gjithë janë ndërru, nuk ka ruajt vetëm një njeri, nuk ka qenë vetëm një person apo katër persona. Të gjithë ushtarët kanë bërë roje që kanë qëndru në një bazë ushtarake”, ka bërë të ditur Sopi.
Më pas, me kërkesë të avokatit është kaluar në seancë private.
Pas kthimit nga seanca private, avokati Von Bone ka pyetur dëshmitarin Sopi se a ka mbajtur uniformë dhe ky i fundit e konfirmoi këtë, duke shtuar se ka mbajtur uniformë kamuflazh, e se kishte edhe shenjë dalluese, e cila ishte shkurtesa UÇK.
Ndërsa, kur u pyet se a kishte logo apo diçka tjetër përveç shkurtesës UÇK, ai tha se edhe në krah e kanë pasur UÇK dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në mes shqiponjën dy krenare simbolin e kombit.
Kurse, tha se nuk kanë qenë ushtri e rregullt që të kenë uniforma për secilin ushtarë dhe të veshën të gjithë ushtarët njësoj me uniforma, por se janë shërbyer ashtu si kanë mundur dhe janë pajisur ashtu si kanë mundur me uniforma, ku dikush ka pasur uniformë, dikush e ka pasur pjesërisht e dikush jo.
“Por uniforma e përgjithshme e cila ka ndodh në UÇK ka qenë vullneti për luftë, për çlirimin e vendit tonë”, ka thënë Sopi.
Sipas tij, uniforma e UÇK-së në shumë raste është keqpërdor nga forcat paramilitare dhe militare serbe.
“Ndërsa, sa i përket uniformave, uniforma e UÇK-së në shumë raste edhe është keqpërdorur sidomos nga forcat ushtarake paralimitare dhe militare serbe, të cilët nën uniformën e UÇK-së kanë kryer masakra të llahtarshme. Po jau përmendi vetëm një rast që e kam në mendje, kur pjesëtarë të njësiteve serbe me uniformë të UÇK-së në Pejë hyjnë në një lokal të rinjve dhe i vrasin të gjithë ata pjesëtarë të kombit të vet, serb, në mënyrë të fajësohej UÇK dhe opinioni ndërkombëtar ta dënonte si organizatë terroriste se po kryen terror krime”, ka thënë Sopi.
Avokati Von Bone e ka pyetur nëse pjesëtarët e njësitit BIA vishnin të njëjtën uniformë si pjesëtarët e tjerë të UÇK-së dhe këtë e ka konfirmuar Sopi.
Dëshmitari Sopi ka deklaruar se ka pasur vende ku kanë mundur të jepet kujdesi shëndetësor, e se ka qenë një në Mramor, një në Zllash e një në Marevc.
“Në fshatra të tjerë kurdo që ishte e nevojshme kishte një vend të caktuar për kujdes shëndetësor nëse nevojitej veçanërisht për popullsinë civile që ishte e pranishme në shifra të mëdha”, ka thënë Sopi.
Sa i përket Zllashit dhe periudhës para 18 prill 1999 kur kishte ndodhur ofensiva e dytë, dëshmitari ka thënë se ka pasur një vend, një shtëpi private ku është ofruar kujdes shëndetësor për personat që kanë pasur nevojë.
“Objekti mjekësor ku është edhe shenja, a është objekti mjekësor që është përdor pas ofensivës së dytë?”, ka pyetur avokati.
Sopi ka thënë se te komanda e brigadës 153, lidhur me ofensivat që priteshin ose ofensiva të mundshme, komunikimi bëhej përmes radiolidhjeve pasi ishin të zënë në terren dhe nuk mundeshin në çfarëdo kohe të takoheshin.
“Konsultimet apo njoftimet bëheshin edhe përmes radiolidhjes në distanca më të largëta”, ka rrëfyer Sopi.
Ai është pyetur se a janë informuar nga Salih Mustafa për lëvizje të mundshme të forcave serbe në periudhën e prillit 1999, e dëshmitari tha se nuk është i sigurtë, por mund të kenë pasur edhe informata të tilla.
Tutje, ai tha se këto informata mund të kenë qenë edhe para ofensivës së dytë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“A e dinit ju ku gjendej zoti Mustafa në atë kohë”, ka pyetur avokati, e Sopi tha se as ai e as Mustafa gjatë ofensivave nuk kanë mundur të rrinë në një vend pasi është dashur të merren me organizimin, vjeljen e informatave dhe përgatitjen e operacioneve luftarake.
Ndërkaq, dëshmitari Sopi ka thënë se Mustafën në Zllash e ka parë shumë herë dhe se kanë qenë bashkëluftëtar dhe kanë qenë në të njëjtat pozicione dhe në të njëjtin vend.
“Nuk mbaj mend takime të veçanta, kemi pas takime rutinore të ndryshme”, ka rrëfyer Sopi.
Tutje, ai është pyetur nëse e din nëse gjatë prillit 1999, tre javë të prillit, Mustafa ka sjellë staf mjekësor, kurse dëshmitari tha se nuk i kujtohet dhe se mund ta ketë bërë.
Për Mustafën, Sopi tha se në Zllash qëndronte në bazën e skifterëve, por se ka qëndruar edhe në shtëpinë e vet dëshmitarit.
Kur u pyet lidhur me maltretimet që pretendohet të kenë ndodhur në Zllash, ai tha se UÇK ka bërë luftë çlirimtare.
“Unë i besoj të kaluarës time, të kaluarës së shokëve të mi dhe jam i bindur se nuk ka mundur askush ekskluzivisht nëse ka ndodh kur forcat serbe e kanë pushtu Zllashin dhe kanë qëndru ni natë aty dhe nëse këtë periudhë ka ndodh ko nga forcat serbe. UÇK ka zhvilluar luftë të pastër, çlirimtare dhe nuk ka pas luftë civile mes njerëzve por çlirimtare, dhe këto nuk kanë mundur të ndodhin në Zllash, përpos prej forcave serbe kur kanë qëndruar në Zllash”, tha Sopi.
Kur u pyet se a ka dëgjuar që Salih Mustafa ka dhënë urdhra apo ai vet ka rrahur apo keqtrajtuar njerëz mizorisht, ai mohoi këtë.
“Salih Mustaën e njoh edhe para lufte e kam njohur si ish i burgosur politik dhe njeri që ka përjetuar torturat më çnjerëzore nga pushteti serb dhe nuk besoj kurrë se i njëjti mund të ushtroj dhunë ndaj dikujt për asnjë arsye dhe për asnjë rast. Kurrë në jetën time nuk kam dëgjuar diçka të tillë për bashkëluftëtarin tim, Salih Mustafën”, ka thënë Sopi.
Dëshmitari Sopi ka thënë se në asnjë rrethanë e asnjë formë nuk ka qenë pengese orientimi politik i ndonjë ushtari, e se qëllimi ka qenë çlirimi i vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.