75 Mall Live Search
17:48 / E Shtunë, 04 Maj 2019 / indeksADMonline

Ish-asamblistët nuk kthejnë laptopet, Komuna detyrohet të blejë të tjerë

Asamblistët e Kuvendeve komunale pas përfundimit të mandatit janë të obliguar të kthejnë asetet komunale të blera nga taksapaguesit.

Kjo është e paraparë edhe me rregullore, e cila parasheh që të gjitha pajisjet në përfundim të mandatit i takojnë organizatës buxhetore.

“Mënyra e ngarkimit dhe shkarkimit të zyrtarëve për menaxhim dhe përdorim të pasurisë jo financiare duhet të jetë përcaktuar në mënyrë të qartë me rregulla dhe procedura të brendshme të aprovuara nga zyrtari kryesor administrativ i organizatës buxhetore”, thuhet në nenin katër të rregullores 02/2013.

Mirëpo, në shumë komuna, asamblistët nuk i kthejnë pajisjet që i marrin në fillim të mandatit.

Komuna e Prizrenit është njëra nga komunat ku asamblistët e mandatit të kaluar nuk i kanë kthyer laptopet.

Kjo komunë për t’i furnizuar asamblistët me pajisje të duhura tani ka hapur tender për blerjen e 45 laptopëve.

Indeksonline ka kontaktuar me zyrën për informim në këtë komunë për të kuptuar nëse këta laptop do të blihen për shkak të moskthimit të atyre të kaluar.

Ata janë përgjigjur shkurt në pyetjet e redaksisë, duke bërë të ditur se blerja që pritet të bëhet tani ka të bëjë me furnizim të asamblistëve me laptop dhe se asamblistët e kaluar nuk kanë kthyer laptopet.

“ Jo, nuk janë kthyer. Bëhet fjalë për 8 llaptop”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Se a kanë bërë kërkesë që pajisjet të kthehen në komunë, përgjigja e tyre është kjo.

“Jo, ende jemi ne shqyrtim të këtij vendimi”, thuhet në përgjigjën e zyrtarëve të kësaj komune. 30 mijë euro është vlera e parashikuar e kontratës për blerjen e laptopëve të rinj, mirëpo ende nuk është nënshkruar me ndonjë operator ekonomik.

Ky tender sapo është hapur, ndërsa afati i fundit për pranimin e aplikacioneve është me 8 maj të këtij viti./Indeksonline/