15:35 / E Shtunë, 09 Tetor 2021 / OSH

Ish-basketbollisti qe shënoi 110 pikë fuqishëm në listën e PDK-së në Prishtinë!

Ish-basketbollisti i KB Prishtinës dhe Kosovës, Granit Rugova ka njoftuar se do të garojë për pozitën e asamblistit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, si kandidat nga Partia Demokratike e Kosovës.

Rugova nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shkruar se kësaj gare po i hyn me besimin dhe bindjen e plotë se energjia dhe idetë të cilat Urani do t’i jetësojë gjatë mandatit të ardhshëm si udhëheqës i Prishtinës.

“Përmes këtij postimi dua t’ju informoj se në zgjedhjet e ardhshme komunale kam vendosur të kandidoj për pozitën e asamblistit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, si kandidat nga tabori i Partisë Demokratike të Kosovës dhe përkrahës i vizionit të Uran Ismailit për kryeqytetin. Kësaj gare po i hyj me besimin dhe bindjen e plotë se energjia dhe idetë të cilat Urani do t’i jetësojë gjatë mandatit të ardhshëm si udhëheqës i Prishtinës do të reformojnë në përgjithësi jetesën në qytetin tonë të zemrës”, ka shkruar Rugova.

“Këtij rrugëtimi përkrah Uranit i jam qasur me idenë e qartë se ndryshimet duhet të bëhen nga brenda dhe me përkushtimin e plotë që në mandatin e ardhshëm qeverisës të jem zë i fortë i qytetarëve dhe mbështetës i të gjitha ndryshimeve pozitive në Prishtinë, me theks të veçantë në fushën e sportit, rinisë dhe jetës së shëndetshme”.

Tutje Rugova ka thënë se përvojën 20 vjeçare si sportist do ta jap në promovimin e sportistëve të kryeqytetit.

“Pas pothuajse 20 vite përvojë dhe karrierë si sportist profesionist dhe si administrator i sportit, gjatë të cilave kam pasur nderin dhe privilegjin që të përfaqësoj basketbollin e Prishtinës dhe Kosovës, por edhe si menaxher me edukim formal dhe profesional, jam i gatshëm që të jap kontributin tim në promovimin e sportit dhe sportistëve të kryeqytetit, që si epiqendër e të gjitha veprimtarive sportive kryesore në vend, qytet universitar dhe shtëpi e mijëra sportistëve e qindra klubeve sportive, vazhdon të mos ofrojë as kushtet elementare për jetesë të shëndetshme dhe sportistë”.