14:56 / E Diele, 12 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Ish-deputeti i LDK-së deklarohet për fryrjen e listave: S’e marrë këtë pension!

Kohëve të fundit zërat për fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shtuar tejet shumë, madje për këtë po ju ‘lakohet’ emri  edhe ish-komandantëve të UÇK-së.

Ishte veterani që ka shërbyer në zonën e Dukagjinit, Shqiprim Lika i cili u deklarua rreth këtyre listave duke ja hedhur kështu fajin kryetarit të Komisionit për verifikimin e veteranëve, Agim Çekut si dhe ish-deputetit të LDK-së, Adem Salihajn.

Mirëpo, për këtë të fundit dyshon për  manovrime të ndryshme.

“Për këtë pjesë kish qenë mirë me ja bë pyetjen kryetarit të Komisionit Agim Çekut që ka qenë përfaqësues dhe është ende akoma përfaqësues legjitim për verifikimin e kësaj pjese. Por, dua të përmendi se sa isha në ndërtesën e Qeverisë që udhëhiqej nga Isa Mustafa ka qenë edhe emir i Adem Salihaj në sallë të komisionit për verifikimin e veteranëve, e që kjo për mua është e papranueshme”, ka thënë ndër të tjerash veterani Lika.

Mirëpo, lidhur me këtë, ‘Indeksonline’ ka kontaktuar ish deputetin e LDK-së Salihaj për të mësuar se sa mund të jetë e vërtetë një përfshirje e tij në këtë rast.

Sipas Salihaj, për fryrjen e listave të veteranëve kanë filluar dezinformata të shumta me figura të LDK-së. Ai e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se në atë kohë ka qenë pjesë e dikasterit të Mbrojtjes.

E, në këtë rast ka qenë komandat i shtabit komunal në Ferizaj dhe më tej ai shpjegon se  sa kanë qenë aty të pranishëm përveç tij askujt nuk u është pranuar statusi i veteranëve.

“Për fat të keq, kanë filluar të përhapen shpifje e dezinformata lidhur me figura të LDK-së sikur ne jemi fajtorë për stërfryerjen e listave të veteranëve të  UÇK-së. Unë do ti jap disa sqarime , jo për hir të shpifësve dhe dezinformuesëve, por për hir të opinionit. Unë kam qenë te Komisioni per Statusin e Veteranëve vetëm kur me kanë thirrur që ti nënshkruaj disa aplikacione  të disa pjesëtarëve , të cilët kanë qenë pjesë e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të Shtabit komunal në Ferizaj, sepse unë  kam qenë komandant i Shtabit Komunal ne Ferizaj në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, është shprehur Salihaj.

Më tej, ish deputeti i LDK-së thotë se si pjesëtar i shtabit komunal në Ferizaj i është pranuar statusi i veteranit, por Salihaj as që ka aplikuar për këtë status.

“Përveç meje, asnjë pjesetari të Shtabit Komunal në Ferizaj nuk i është pranuar statusi i veteranit. Madje, sa për sqarim të opinionit as unë nuk kam aplikuar për pension të veteranit e as nuk e marr këtë pension.  Lidhur me këto çështje as nuk jam takuar e as nuk kam biseduar asnjëherë me kryeministrin e atëhershëm ,Isa Mustafen”, ka thënë më tej ai.

Tutje,  Salihaj ka theksuar se listat nuk janë fryrë nga anëtarët e LDK-së. Por, sipas tij, kjo është një gënjeshtër e të parit të PDK-së.

“Sa i përket fryrjes së listave, dihet se këtë nuk e ka bërë  Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, por e kanë komandantët e zonave të UÇK-së apo struktura të  tjera të UCK-së. Numri i pjesëtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes,të cilëve u është pranuar statusi i veteranit është padrejtësisht i vogel dhe ndoshta sillet në rreth 100, kurse, siç dihet, listat janë fryrë me rreth 30 mijë veteranë të rrejshëm. Pohimet  se listat janë fryrë sepse ata i paskan përfshirë ne ato lista anëtarët e LDK-së është një gënjeshtër dhe hipokrizi e pafund e Kadri Veselit dhe e të gjithë atyre që pohojnë një gjë të tillë,sepse kjo është absolutisht e pavërtetë”, ka përfunduar ai./Indeksonline/(Ardian Beka)