75 Mall Live Search
10:56 / E Martë, 30 Mars 2021 / OSH

Ish- deputeti i LDK-së flet për IndeksOnline, a duhet të votohet Vjosa Osmani për presidente

Janë bërë disa ditë që kur Vjosa Osmani zhvilloi një takim me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku sa i përket zgjedhjes së presidentit.

Derisa, LDK-ja nuk ka dalë ende me ndonjë qëndrim zyrtar sa i përket kësaj çështjeje, ish- deputeti Fatmir Rexhepi thotë se Vjosa Osmani duhet të marrë besimin e ish-bashkëpartiakëve të saj.

“Unë mendoj se duhet të votohet Vjosa Osmani për presidente. Si anëtar i LDK-së besoj se duhet me u votu. Mendoj se e kemi obligim kushtetues si dhe pjesëmarrjen në seancë. Pastaj është vullneti i deputetëve për formimin e institucioneve. Deputetët e LDK-së e kanë një shans të mirë që ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente me qëllim që ta përmbyllim formimin e institucioneve dhe kjo është në interes për vendin”, ka thënë Rexhepi për IndeksOnline.

Sipas tij, do t’ishte ngarkesë e madhe po të organizonte vendi përsëri në zgjedhje.

“Është çështje e tyre dhe mendojë se secili deputet e ka të drejtën të vendosë. Unë mund të them që në seancën e radhës duhet të votohet dhe unë besoj se Vjosa do të zgjidhet presidente dhe s’kemi nevojë të humbim kohë pasi që kjo do t’ishte një ngarkesë e madhe për ta çuar vendin në zgjedhje. Andaj ky kapitull duhet të përmbyllet”, ka thënë ai.

E, Abdixhiku pak ditë më parë pati thënë se partia e tij do të dalë me një vendim final sa i përket votimit pro apo kundër Vjosa Osmanit për presidente.

I pari i LDK-së ka thënë se sa i përket kësaj çështjeje nuk ka vendime individuale./IndeksOnline/