Ish-drejtori i arrestuar sot, kishte propozuar një marrëveshje për kthimin e parave ndaj BKS-së (Dokument)
Mëngjesin e sotëm Prokuroria e Prizrenit ka nisur një aksion duke realizuar bastistje masive ndaj ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Valon Berisha i cili në vitin 2023 ushtronte pozitën drejtor i Departamentit të Financave në Byronë Kosovare të Sigurimeve, është në mesin e të arrestuarve në këtë aksion.
Berisha bashkë me ish-drejtorin Sami Mazreku dyshohet se kishin përfituar jashtëligjshëm para nga Byroja e Sigurimeve duke shfrytëzuar detyrat e tyre.
Muaj më parë, Berisha kishte angazhuar avokat për të negociuar rikthimin e një pjese të parave ndaj byrosë. Në kërkesë thuhej se ekziston vullneti për kompensimin e dëmit dhe këtë do ta bëntë në formë efikase.

Kësti i parë i detyrimeve ndaj byrosë që ishte kërkuar përmes avokatit kapte vlerën e 100 mijë eurove. Si propozim për marrëveshje ishte bërë që pagesa të kryhej përmes disa kësteve.
Nuk dihet ende nëse byroja i kishte aprovuar këtë propozim dhe se në çfarë faze kishte arritur ky kompensim i propozuar nga ish-drejtori Berisha./Indeksonline/

