75 Mall Live Search
08:06 / E Premte, 26 Shtator 2025 / Z S

Ish-drejtori i FBI-së James Comey nën dy akuza

Një juri e madhe federale në shtetin amerikan të Virginia-s ka ngritur padi ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, për dy akuza që lidhen me dëshminë e tij para Kongresit.

Comey, i cili prej kohësh është kritikuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, akuzohet se e ka gënjyer kongresin gjatë dëshmisë së tij në shtator 2020, nëse ai autorizoi rrjedhjen e informacionit të klasifikuar në media.

Duke iu përgjigjur aktakuzës, Comey e deklaroi veten të pafajshëm dhe tha se kishte “besim të madh në sistemin gjyqësor federal”, shkruan BBC-i.

Aktakuza vjen disa ditë pasi Trump i bëri thirrje zyrtarit më të lartë të zbatimit të ligjit në vend, prokurores së përgjithshme Pam Bondi, të hetojë më agresivisht kundërshtarët e tij politikë, përfshirë Comey-n.

Hetimi po drejtohet nga Lindsey Halligan, prokurorja e SHBA-së për Distriktin Lindor të Virxhinias, e cila më parë ishte avokatja personale e Trumpit.

Prokurorja e përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, tha në një deklaratë se aktakuza “pasqyron angazhimin e Departamentit të Drejtësisë për t’i mbajtur përgjegjës ata që abuzojnë me pozicionet e pushtetit për mashtrimin e popullit amerikan”.

Comey është akuzuar për një akuzë për dhënien e deklaratave të rreme dhe një tjetër për pengim të drejtësisë.

Departamenti i Drejtësisë i kërkoi jurisë së madhe të shqyrtonte tri akuza kundër Comeyt, por ajo mundi të binte dakord vetëm se dy prej tyre mbështeteshin nga prova të mjaftueshme për t’u gjykuar në gjykatë./Indeksonline/