13:02 / E Mërkurë, 28 Tetor 2020 / Blerim

Ish-hoteli “Selaniku” (Strehimorja e vjetër e grave) – pjesë e listës së monumenteve në mbrojtje të përkohshme

Ndërtesa e ish- hoteli “Selaniku”, gjendet brenda kufijve të Qendrës Historike të Prizrenit, në Zonën I, Zona tradicionale e dyqaneve. Qasja në ndërtesë mundësohet nëpërmjet rrugës “Marin Barleti”, përmes rrugicës së ngushtë nga ana veriore. Ndërtesa në anën veriore kufizohet me kishën e Shën Gjergjit (3390) dhe në anën jugore me kompleksin e kishës katolike Zonja Ndihmëtare (403).

Ndërtesa paraqet njërin nga shembujt e vazhdimësisë të traditës të haneve dhe hoteleve të periudhës Osmane, e cila supozohet se është e ndërtuar në fillim të shekullit XX, pëkatësisht gjatë vitit 1912. Objekti është ndërtuar me teknikë tradicionale të ndërtimit, të kombinimit të mureve nga guri në bodrum dhe mureve nga tulla të pjekura dhe të lidhur me llaç gëlqeror, konstruksioni meskatësh dhe ai i kulmit supozohet të jetë i ndërtuar nga konstruksioni i drurit.

Pas pushimit të funksionit si hotel, është shfrytëzuar si hapësirë e Shkollës së Muzikës, hapësirë për organizimin e ahengjeve të ndryshme, ndërsa gjatë shek. XX përdhesa e ndërtesës është shfrytëzuar si magazinë e Komunës së Prizrenit, ndërsa kati për banim nga dy familje të ndryshme ku është bërë ndarja e saj në dy pjesë përgjatë orientimit veri-jug, duke shtuar edhe dy anekse të tjera për hyrje.

Pas luftës së vitit 1999, deri në vitin 2004 shfrytëzohet si çerdhe e fëmijëve, ndërsa rreth viteve 2004-2008 mbetet e pashfrytëzuar dhe prej vitit 2008 deri më sot shfrytëzohet nga organizata për Strehimin e Grave dhe të Fëmijëve.
Objekti është ndërtuar në terren të rrafshët, në tri nivele: bodrum, përdhese dhe kat. Në planimetri drejtkëndëshe. Supozohet se gjatë ndërtimit kati i përdheses nuk kishte ndarje të dhomave, më pas është adaptuar funksioneve të shfrytëzimit. Qasja në kat mundësohet përmes shkallëve të ndërtuara më vonë në pjesën lindore, ndërsa organizimi i brendshëm gjithashtu është adaptuar sipas funksioneve të shfrytëzimit.

Ndërtesa ka një trajtim të thjeshtë arkitektonik, ku vlen të theksohet fasada ballore – veriore, e cila është e punuar në elemente të stilit neoklasik, përgjatë fasadës ballore ka kurorën dhe ndarjen e mes-kateve të profiluar, me dekorime gjeometrike në hapje të dritareve dhe portës hyrëse, ndërsa në këndet e ndërtesës dhe në skaje të portës hyrëse paraqiten shiritat drejtkëndëshe. Në kurorë, respektivisht në pjesën e nënkulmit vërehen hapje të dritareve të vogla në simetri me hapjet e katit. Fasadat e tjera kanë trajtim të thjeshtë pa ndonjë element dekorativ.
Në enterier nuk janë ruajtur elemente origjinale, si pasojë e ndërhyrjeve të periudhave të ndryshme adaptimeve.

Ndërtesa ka rëndësi të veçantë sepse pasqyron periudhën transitore nga ndërtimi tradicional i shtëpisë qytetare, në ndërtimin e objekteve publike shoqërore me stil të ndërtimit neoklasik.
Në aspektin funksional ndërtesa paraqet një shembull të hoteleve të ndërtuara në shek. XX dhe një rast unik të shfrytëzimit si pronë publike shoqërore. Është pjesë përbërëse e karakterit historik urban të Qendrës Historike të Prizrenit. Si e tillë, ngërthen në vete vlera arkitektonike, shoqërore dhe ekonomike.