20:31 / E Martë, 16 Korrik 2019 / indeksADMonline

Ish Hoteli “Victory” bëhet pronë e policisë me vendim preliminar

 Zyrtarët policor të Stacionit Jugu në Prishtinë, ka dy vjet që kanë ndërruar lokacion.

Ata nga lokalet e vjetra që shfrytëzuan me vite në lagjen “Lakrishtë”, janë transferuar në objektin e ish Hotelit ‘Victory’.

Kjo ishte bërë pas marrëveshjes së Policisë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit e cila kishte kthyer nën menaxhim pronën e uzurpuar me vite, transmeton Indeksonline.

 Policia deri tani i ka paguar qera AKP-së ndërsa tani ekzekutivi me një vendim preliminar ka bërë shpronësimin e ish hotelit për nevojat e Policisë.

Në vendim thuhet se është miratuar shpronësimi i pronave të paluajtshme ish shoqërore, ish hoteli Victory.

“Miratohet shpronësimi me interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore të P.SH Auto-Prishtinë, ish Hoteli “VICTORY” për nevojat e Policisë së Kosovës, Zona Kadastrale: Prishtinë, Komuna Prishtinë, sipas tabelës së përshkruar nga evidencat kadastrale përkatëse për titullarët e pronave të paluajtshme, pozitën e tyre në kuadër të projektit të interesit publik si dhe sipërfaqeve të tyre, e cila tabelë është pjesë përbërëse e këtij vendimi”, thuhet në këtë vendim, raporton Indeksonline.

 Departamenti i Shpronësimit në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, pas nënshkrimit të këtij vendimi preliminar, do t’i njoftojë pronarët dhe pretenduesit e tokave të cilat do të shpronësohen.

 “Kundër këtij vendimi, apo cilës do pjesë të tij, kanë të drejtë të paraqesin ankesë brenda 30 ditëve kalendarike në Gjykatën Kompetente, subjekti kërkues dhe cilido person i cili është pronar ose zotërues i interesit, në pronën e paluajtshme të prekur nga ky vendim”, thuhet ndër të tjerash në vendim./Indeksonline/