13:36 / E Martë, 07 Maj 2019 / indeksADMonline

Ish i burgosuri politik thotë se janë në gjendje të vështirë, kërkojnë ndihmë nga institucionet

Me vonesa të shumta sa i përket kompensimit janë përballur ish-të burgosurit politikë në Kosovë.

E sot, Qeveria e Kosovës përmes një vendimi që mori në mbledhjen e saj i zgjati mandatin Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të dënuarve dhe të ish të përndjekurve politikë.

Madje, pas mbledhjes në një konferencë për media, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se pas këtij vendimi do të kryhen të gjitha pagesat, përcjellë Indeksonline.

“Me këtë vendimin e sotshëm tani janë krijuar krejt kushtet paraprake që me vazhduar pagesat. E kanë buxhetin vetëm nuk kanë pas mandat me i marr vendimet”, tha Haradinaj.

Mirëpo, gjendja e të  ish-të burgosurve politikë nuk është hiq e mirë.

Në një prononcim për Indeksonline, Afrim Caka, kryetar i ish-burgosurve politikë të Gjakovës ka shpalosur vështirësitë me të cilat përballen.

Ballafaqimi me sëmundje, papunësi e varfëri të skajshme, është gjendja e ish të burgosurve e përshkruar nga Caka.

Në grupin e Cakës, kanë qenë gjithsej 145 të burgosur politikë, prej të cilëve 11 kanë vdekur nga e njëjta sëmundje.

“Unë po flas për një grup prej 145 vetash, tek ky grupi ynë që kem qenë në  burgun e Dubravës, 11 veta kanë vdek nga e njëjta sëmundje, nga kanceri.  Është problemi që edhe dy të tjerë janë të sëmurë  nga e njëjta sëmundje. Në shoqatën tonë diku 81 për qind janë të papunë, varfëria e tyre është e skajshme, të rinjtë janë duke u shpërngulur”.

Kryetari i ish të burgosurve politikë, thotë se kanë mbetur nën mëshirën e shpresës se do të përshpejtohet procesi dhe do të marrin kompensimin që iu takon me ligj.

Caka bën të ditur se përafërsisht, secilit nga ish-të burgosurve politikë iu takojnë nga 12 mijë euro, mirëpo që dallojnë  nga vitet e kaluara në burg.

Ish të burgosurit politikë kanë edhe një kërkesë tjetër, pas përfundimit të procesit të pagesave.

Caka kërkon që të shikohet edhe njëherë statusi i ish të burgosurve.

Sipas tij, tmerret që kanë përjetuara nëpër burgje janë aq të rënda sa “as barku nuk i pranon”.

“Pasi të kryhen pagesat, të ulet dhe të këqyret projektligji për të ish burgosurit, ka në Dubravë që janë vrarë shumë e këta i kanë lënë  në harresë. Është mirë që statusi  për ish të burgosurit politik të qartësohet sipas projektligjit  që edhe ne ta kem një të drejtë, mbrojtje shëndetësore, të drejtë për punësim, të drejtë për shkollim, bursa.  Të gjithë ata të burgosur politikë që e kanë gjendjen e vështirë t’i mbështesin materialisht, të iu gjejnë strehime, të ju gjejnë vende të punës. Gjendja është e mjerë, pa perspektivë”.

Grupi i Cakës ishte i dënuar me 1632 vjet burg.

Sipas tij, ky grup është në vendin e dytë në botë për dënimin më të madh pas atij të Saddam Hussein-it

“Jem një grup që jemi dënuar me 1632 vjet burg. Ky është grupi i dytë në botë pas atij të Saadam Hussein. Aty i kemi përjetuar nëntë rrathët e ferrit. Për herë të parë aty unë kam parë se si duken organet, zemra, kryet e këputur. Nuk është lehtë me bartë 260 vetë me dorë, pa kokë, pa këmbë, pa zemër. Momente që nuk janë të lehta as barku nuk i pranon”, përfundoi Caka rrëfimin e tij për Indeksonline. /Indeksonline/