14:07 / E Mërkurë, 28 Tetor 2020 / Blerim

Ish-komandati i UÇK-së i reagon Shainoviqit, që tha se s’mund të fle pasi s’është dashur të vrisnin civilë, në Kosovë

Ish-komandati i UÇK-së, Lahi Brahimaj, përmes një postimi të bërë në FB,  ka reaguar pas publikimit të një artikulli në të cilin thuhej se ish-kryeministri serb, Nikola Shainoviq, kishte thënë se s’mund të fle, pasi që sipas tij s’është dashur të vrisnin civilë në Kosovë.

Ndërsa, Brahimaj ndër të tjera shkruan se drejtësia duhet të jetë absolute dhe e jo balansuar. Duke kujtuar edhe të gjithë krerët serbë dhe deklaratat e tyre kundër popullit të Kosovës, krimeve që kanë bërë dhe deklaratave ndaj luftës së UÇK-së.

Ky është reagimi i plotë i ish-komandatit të UÇK-së

Aleksander Vuçiq, aktualisht president i Serbisë kurse gjatë luftës së fundit në Kosovë Ministër i informimit në RSFJ-në e udhëhequr nga Millosheviqi, para një viti tha se populli i Serbisë duhet të jetë i gatshëm për lajme të tmerrshme rreth gjërave që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, siç ishte rasti “Panda”, rast ky që në atë kohë i m’vishej UÇK-së, por ai tha se ishte kryer me paramendim nga forcat serbe. Kjo shpërfaq hipokrizinë e skajshme të Vuçiqit dhe tendencën e tij për të mobilizuar përkrahjen ndërkombëtare mbi gjakun e të vrarëve.

Ivica Daçiqi, aktualisht kryeparlamentar i Serbisë, gjatë luftës në strukturat e Millosheviqit, me një studio televizive në Beograd, se çka do të bëjmë NE kur çdo ditë po dalin serbët dhe po tregojnë për vendodhjen e varrezave masive nëpër Serbi me kufomat e viktimave shqiptare të luftës në Kosovë. Kjo vijë millosheviqiane tenton që t’i heshtë ata që tregojnë për masakrat. Dragolub Ojdaniqi, komandant i forcave të armatosura të RFJ-së deri në vitin 1998 i zëvendësuar nga hjenerali i APJ-së Nebojsha Pakoviq, pastaj 1998-2000 ministër i Mbrojtjes, u dënua në Hagë për krime lufte në Kosovë, në shkallën e dytë e pranoi fajësinë dhe pati kërkuar falje për krimet në Kosovë.

Nebojsha Pavkoviqi, komandant i APJ-së nga viti 1998-2000, i dënuar për krime lufte në Kosovë nga Tribunali i Haages, në RTK, emisionin “Udhëve”, qarkullojnë disa dokumente të APJ-së me mbishkrimin ‘top sekret’, ku urdhërohet arhivi i APJ-së t’i tërheqë disa dokumente dhe t’i asgjësojë. Nikolla Shainoviqi, zëvendëskryeministër i RSFJ-së, i ngarkuar nga Millosheviqi për Kosovën, pjesë e shtabit të luftës, i dënuar për krime lufte në Kosovë nga Tribunali i Haages (pasi ka kryer 2/3 e denimit) tani i lirë në Serbi, në studiot televizive nacionale serbe deklaron (shiko gazetën Express) “Unë në Hagë, para trupit gjykues jam deklaruar se nuk jam fajtor. Unë kështu jam deklaruar në raport me aktakuzën.

Por, arsyeja pse unë them se pse nuk mund të fle i qetë është se mendoj që secili që ka marrë pjesë në ngjarje kaq dramatike, në një krizë të tej zgjatur, në ngjarje të tilla lufte ku janë vrarë kaq shumë njerëz, nuk mund të thotë se unë këtu nuk kam asnjë përgjegjësi sepse ne kemi qenë një shtet i organizuar”, ka thënë ai. Shainoviq në një televizon të Beogradit kishte shtuar se serbët s’kanë guxuar t’i bëjnë ato krime: “Kur për një moment i lëmë të gjitha palët pjesëmarrëse anash, krimet që i kanë bërë qytetarët tanë, nuk kanë guxuar t’i bëjnë. Ata që kanë dashur ta mbrojnë vendin e tyre e kanë pasur përballë UÇK-në aty është dashur ta tregojnë forcën e tyre dhe atdhedashurinë, e jo kundër civilëve dhe kjo është arsyeja që unë e bart mbi vete atë barrë” Këto deklarata dhe pranimi i fajësisë së udhëheqësve serb, dallojnë përmbajtësisht nga qëndrimi ynë. Ne shkuam duke besuar në drejtësi dhe e njejta triumfoi. Fatkeqësisht, këto dallime nganjëherë ndërkombëtarët nuk po i shohin. Nuk ka drejtësi të balansuar por vetëm drejtësi në formën e pastër të saj. Dihet kush ka qenë agresori dhe kush mbrojtësi.