Ish-krerët e UÇK-së letër gjyqtarëve: Të drejtat për një gjykim të pavarur dhe të paanshëm janë shkelur

Përmes një letre konfidenciale, e cila së fundi është bërë publike, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, i janë drejtuar trupit gjykues në Hagë, duke i kërkuar që ta ruajnë paanshmërinë dhe të mos ia mbajnë anën prokurorisë.
Ata madje thonë se të drejtat e të akuzuarve për gjykim të paanshëm dhe një tribunal të pavarur janë shkelur.
“Është themelore që një trup gjykues jo vetëm të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të paanshme, por gjithashtu të sigurojë dukjen e paanshmërisë. Pyetjet e pakufizuara gjyqësore ndaj dëshmitarëve, gjatë këtyre procedurave dhe veçanërisht gjatë bllokut dëshmues më 21 tetor 2024 – 7 nëntor 2024, po rrezikojnë dukjen e paanshmërisë në këto procedura dhe po shkaktojnë një paragjykim të identifikueshëm për mbrojtjen”, thuhet në dokument.
Kjo letër, është dorëzuar më 13 nëntor dhe është bërë publike më 21 nëntor, e që mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kishte kërkuar që trupi gjykues të marrë masa për të siguruar paanshmëri dhe për t’i kufizuar paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore.
“Siç shpjegohet më poshtë, pyetjet gjyqësore po avancojnë rastin e Prokurorisë ose një rast gjyqësor të ngjashëm me të, duke marrë rolin që normalisht do të luhej nga ripyetja e Prokurorisë dhe duke dështuar të sqarojnë ose eksplorojnë ndonjë informacion shfajësues. Mbrojtja për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin (“Mbrojtja”) kërkon nga trupi gjykues të marrë masa për të siguruar dukjen e paanshmërisë dhe për të kufizuar paragjykimin ndaj mbrojtjes gjatë pyetjeve gjyqësore”, thuhet aty.
Madje, katër të akuzuarit përmes mbrojtjes së tyre kanë thënë se koha e përdorur për pytje gjyqësore tejkalon atë të përdorur nga tri prej katër ekipeve të mbrojtjes gjatë një blloku të dëshmitarëve.
“Ndikimi i pyetjeve gjyqësore është i qartë nga raportet periodike të kohës të përgatitura nga Regjistri. Deri më 11 nëntor 2024, pyetjet gjyqësore kanë zgjatur 71 orë, 36 minuta dhe 34 sekonda, çka përbën 13 ditë kohë gjykimi – më shumë se një bllok tërësor dëshmues – pa marrë parasysh kohën e kërkuar për pyetjet shtesë pas pyetjeve gjyqësore. Koha e përdorur për pyetje gjyqësore tejkalon atë të përdorur nga tri nga katër ekipet mbrojtëse. Në çdo aspekt, kjo kohë shumë e madhe po ndikon në zhvillimin e shpejtë të procedurave”, thuhet në letër.
Madje, në këtë letër, mbrojtja e quan më shqetësuese mënyrën e pyetjeve se si bëhen nga trupi gjykues, e që ata thonë se nuk mund të perceptohen si të paanshme.
Kujtojmë se mbrojtja vazhdimisht ka pasur ankesa lidhur me pyetjet e trupit gjykues gjatë seancave gjyqësore.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit./Indeksonline/