75 Mall Live Search
14:15 / E Premte, 06 Mars 2020 / indeksADMonline

Ish-kreu i AMKMK-së: Kullat e Jasharëve rrezikojnë të shemben, projektin e 2015-s s’e pëlqyen

Kullat e familjes së Komandantit legjendar Adem Jashari, që janë simbol i lirisë së vendit vazhdojnë të jenë në gjendje jo të mirë. Edhe ky 22-vjetor i Epopesë së UCK-së, këto kulla i gjeti të pakonservuara dhe pa kujdes të merituar.

Prekazin sot e vizitoi edhe ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Idriz Blakaj, i cili tha se gjendja e kullave s’është e mirë dhe se ka rrezik të shemben.

Sipas tij, qeveritë e Kosovës kanë premtuar se do të investonin pavarësisht vlerës, por që nuk është bërë asgjë deri sot.

Blakaj deklaroi se kullat janë gati të rrëzohen e nëse bien kullat, atëherë nuk vlen asnjë investim tjetër.

“Gjendja e kullave shihet, gjithë këta vizitorë që vijnë të gjithë e shohin cila është gjendja e ku llave. Fatkeqësisht kaluan 21 vite e kullat ende janë të pa konservuara edhe pse vazhdimisht qeveritë e Kosovës cilado që kanë ardhur në pushtet kanë premtuar se do të investojnë dhe nuk do ta lënë, as për mjete materiale, as për angazhim, por do t’i rregullojnë këto kulla. Fatkeqësia më e madhe që është se kullat janë gati të rrëzohen, e nëse kullat bien se domethënia e Prekazit janë kullat dhe janë varrezat e dëshmorëve, nëse edhe kullat prishen atëherë çfarë domethënie ka këtu, çfarë vlere ka investimi që është bërë këtu”, tha ai.

Blakaj tha se derisa ka udhëhequr agjencinë, ka qenë një projekt në vitin 2015 për konservimin e kullave, por që ishte kundërshtuar nga shumë persona.

Ai tha se nëse ai projekt nuk iu kishte pëlqyer pushtetarëve të atëhershëm, atëherë është dashur të bëhet një i ri dhe të bëhet konservimi.

Blakaj tha se ka rrezik që ndonjë erë e madhe ose edhe ndonjë tërmet të rrezikojnë sërish kullat.

“Pse nuk e ngrenë zërin derisa të rregullohen kullat të konservohen, mirëpo edhe sot e kësaj dite kullat kanë mbetur. Nëse ai projekt nuk i ka pëlqyer dikujt ka pasur kohë mjaft ta bënin projektin tjetër, bile edhe të kryhej konservimi. Ka rrezik prej ndonjë ere të madhe ose larg qoftë ndonjë termeti si ndodhi në Shqipëri kullat të bien, e kur të bien kullat ma nuk kthehen në gjendjen që kanë qenë”, shprehet ai.

Me gjithë mungesën e investimeve, Xhevat Imeri, ciceroni në kompleksin memorial “Adem Jashari”, thotë se në pesë vjetët e fundit kanë pasur gjysmë milioni vizitorë.

“Këta 5 vjetët e fundit ka qenë viti që më së shumti ka pasur vizitorë, diku rreth gjysmë milioni vetëm këtë vit e kanë vizituar, duke mos llogaritur festat. Kurse gjatë këtyre tri ditëve është një interesim jashtëzakonisht i madh”, tha ai.

Qytetarët që sot e kanë vizituar Prekazin dhe memorialin “Adem Jashari” thonë se gjendja në të cilën janë lënë kullat është e turpshme.

Flamur Salihu, nga Presheva që jeton në Zvicër, tha për KosovaPressin se e ka amanet nga gjyshi i tij që ta vizitojë Prekazin.

Për të është e pakuptimtë se si institucionet e Kosovës i kanë lënë kullat pa përkujdes.

“Jetoj në Zvicër, jam i Preshevës, ma ka lënë gjyshi amanet sa herë të vij në pushim të vij ta vizitoj këtë vend historik dhe e kam lutur Zotin me qenë një herë për Epopenë e UÇK-së, prezent këtu fizikisht. Sa herë vij këtu e ndjej krenarinë për familjen Jashari. Qeveria e Kosovës qysh mundet me e lanë këtë vend kështu, po besoj që sa më shpejt duhet kjo të rregullohet”, tha ai.

Edhe qytetari Kadri Osmani, thotë se është një turp i madh për institucionet se si nuk janë kujdesur për këtë vend, siç e quan ai të shenjtë.

“Këtu është Meka e shqiptarëve, ai që i thotë vetit shqiptar ai duhet të vijë këtu dhe të vizitojë. Pra, për institucionet e Kosovës është një turp i madh qysh e kanë lënë sot në këtë situatë këtë vend të shenjtë”, tha ai.

Kujdesi dhe vizitat në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz për qytetarin Rexhep Fetahu, janë obligim kombëtar.

“Unë e konsideroj se vizita e Prekazit është obligim kombëtar. Vërtet kjo familje i ka dhënë të gjitha për kombin tonë”, tha ai.

Prekazi sot ka pasur vizitorë edhe nga Shqipëria. Frrok Bardhi, nga Mirdita thotë se Prekazi është vend i shenjtë për të shqiptarët.

“Ky është një vend i shenjtë për të gjithë shqiptarët dhe nga ky vend i bëj thirrje të gjithë politikës shqiptare kudo që është të mendojnë më shqiptarisht për trojet tona dhe për popullin tonë. Ky është një vend i shenjtë për mua dhe duhet të jetë për çdo shqiptar”, tha ai.

Në nderim të 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, sot gjatë gjithë ditës janë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, ku përveç qytetarëve të shumtë homazhe kanë bërë edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani.