Ish-kryeministri slloven reagon për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut: Me sa duket rezultat i gjetjeve në rastin Berishaj

Ish-kryeministri slloven, Janez Jansha, nëpërmjet një cicërime në rrjetin e tij social “Twitter”, ka reaguar pas arrestimit të drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili po dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.
Jansha e ka cilësuar aksionin e Policisë së Kosovës dhe arrestimin e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, si rezultat i zbulimeve të bëra në rastin e skandalit financiar/energjetik në Slloveni, ku dyshohet të jetë i përfshirë edhe Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci.
“E fundit: Arrestimet dhe bastisjet e shtëpive në industrinë elektrike të Kosovës, me sa duket rezultat i gjetjeve të hetimit të rastit Berishaj – GENi – presidenti [Robert] Golob”, ka shkruar shkurtimish Jansha, duke e etiketur Qeverinë e Sllovenisë.
Nagip Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i vendosur në krye të KEK-ut përmes lidhjeve me partinë në pushtet, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet për dallavere me një tender që tejkalon vlerën e 3 milionë eurove.