13:46 / E Martë, 28 Janar 2020 / indeksADMonline

Ish-kryetari i Drenasit dhe ish-drejtori i Arsimit lirohen nga akuza për keqpërdorim detyre

Ish-kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku dhe ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë, Sadik Tahiraj, janë liruar nga akuza për keqpërdorim detyre.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të martën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, raporton “Betimi për drejtësi”.

Demaku po akuzohet se ia kishte lëshuar aktemërimin punëtores Berisha, në pozitën inspektore e tregut, pa shpallur konkurs publik, pa iu nënshkruar procedurave të rekrutimit, punësimit, duke i sjell përfitim pasuror në vlerë prej 18,309.01 eurosh, me ç’rast e kishte dëmtuar edhe buxhetin e komunës.

Ndërsa, Tahiraj akuzohet se kësaj punëtoreje ia kishte lëshuar kontratën e punës për edukatore me parafillor në shkollën fillore të mesme të ulët “Ali Gashi” në Drenas, pa pasur konkurs publik të shpallur dhe e kishte punësuar pa përgatitje shkollore adekuate, ku më pas ia kishte lëshuar asaj edhe vendimin për transferim në Drejtorinë e Inspeksionit, si inspektore e tregut, duke e dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë 756.18 euro.

Gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni ka thënë se nuk është provuar se Demaku e Tahiraj kanë kryer veprën penale me të cilën janë ngarkuar.

Sipas saj, nuk është vërtetuar se me veprimet e të akuzuarve i është shkaktuar dëm Komunës së Drenasit.

Kurse, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shtator 2018, Nexhat Demaku akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si kryetar i Komunës së Drenasit, i kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër.

Ai akuzohet se më 10 mars 2015, ia ka lëshuar aktemërimin punëtores Mimoza Berisha në pozitën inspektore e tregut në Drejtorinë e Inspeksionit, në Komunën e Drenasit me kohëzgjatje prej 5 mars 2015 deri më 5 mars 2016, si dhe me 20 janar 2016, në kohëzgjatje prej 5 mars 2015 deri më 5 qershor 2018.

Këtë aktemërim, Demaku akuzohet se ia kishte lëshuar Berishës, në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Drenasit, me titullin e vendit të punës inspektore e tregut, pa pasur konkurs publik të shpallur, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Prokuroria për këtë veprim të tij, pretendon se Berishës i kishte sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë prej 18,309.01 euro, ndërsa në këtë vlerë është dëmtuar edhe Komuna e Drenasit.

Lidhur me punësimin e Berishës, prokuroria po ashtu pretendon se ka keqpërdorur detyrën edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj.

Ai akuzohet se më 3 nëntor 2014, ia ka lëshuar kontratën e punës për mësimdhënës Mimoza Berishës me titullin e vendit të punës, edukatore me parafillor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ali Gashi” në Drenas, si dhe me 3 nëntor 2014 ia kishte lëshuar asaj vendimin, në pozitën edukatore në atë shkollë, pa pasur konkurs publik të shpallur, dhe e kishte punësuar pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Gjithmonë sipas aktakuzës ai me 5 mars 2015, ia kishte lëshuar vendimin Berishës për transferimin e saj në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit në vendin e punës inspektor i tregut, e me ç’rast Berishës i kishte sjell përfitim të kundërligjshme në vlerë prej 756.18 euro, duke i shkaktuar dem edhe buxhetit të komunës në vlerë prej 756.18 euro.