Ish-kryetari i LDK-së: Gjykatat e Kosovës dështuan, të zbardhen vrasjet e pasluftës

“Gjykata Speciale është rezultat edhe i mos-punës tonë” – thotë ish-Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ka kritikuar gjykatat e vendit që hezituan të merren me krimet e mundshme gjatë dy dekadave të fundit.
“Ta them shumë shkurt, gjykatat e Kosovës është dasht të merren me problemet eventuale që kanë qenë, si ide, si dyshime” – ka thënë Sejdiu për Indeks-Intervistë.
Ish-Kryetari I LDK-së ka kërkuar zbardhjen e vrasjeve të pasluftës duke thënë se ata nuk i ka ngrënë arusha por dikush e ka bërë këtë.
“Tash e kemi dhe problemin e njerëzve të vrarë që nuk është sqaruar rasti i tyre. Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Shaban Manaj, Smajl Hajdaraj etj., një numër shumë i madh, Shefki Popova etj., Ata njerëz, e them me përgjegjësi të plotë nuk i ka ngrënë arusha. Dikush e ka bërë vrasjen e tyre dhe duhet të ndriçohen. Ndërgjegjia e secilit, edhe e familjeve, janë në ankth të përhershëm, në ankth jemi dhe ne, i kemi dhe shembujt e gazetarëve, Bekim Kastrati e të tjerë kolegë të juaj, Bardhyl Ajeti etj., të sqarohen. Eshtë dasht gjyqet tona të bëjnë punën e tyre… dhe e dyta s’duhet të jetë selektive. Të gjithë ata që kanë bërë diçka të keqe duhet ta japin përgjegjësi” – ka thënë Sejdiu.