Ish-mbrojtësi anglez kërkon shkarkimin e Amorimit nga Manchester Unitedi

Trajneri i Manchester Unitedit, Ruben Amorim, i vënë nën presion, “duhet të largohet nga klubi sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’i japë fund periudhës së tij katastrofike”, sipas Jamie Carragher.
Legjenda e Liverpoolit, duke folur në Monday Night Football për fillimin e tmerrshëm të sezonit nga Unitedi dhe paraqitjet nën drejtimin e trajnerit portugez, dha një vlerësim të ashpër për situatën.
Ai beson se Amorim, i cili e mbylli sezonin e kaluar në vendin e 15-të dhe aktualisht e ka çuar ekipin vetëm në vendin e 14-të, duhet të largohet.

“Mendoj se ai ende është në detyrë vetëm sepse drejtuesit e Manchester United kanë bërë aq shumë gabime brenda dhe jashtë fushës, saqë nuk duan të pranojnë se kanë bërë edhe një tjetër gabim. Kjo ka qenë një katastrofë për Manchester Unitedin dhe për Ruben Amorimin. Ajo që bëri tek Sporting Lisbona ishte fantastike dhe ai dukej si trajneri i madh i radhës. Por sjellja e një trajneri me një sistem si i tij nuk iu përshtat kurrë traditave të Manchester Unitedi, dhe sa më shpejt që klubi të marrë një vendim për trajnerin, aq më mirë është për të gjithë, sepse ka qenë një katastrofë si për klubin ashtu edhe për trajnerin.
Ne vetëm po presim të pashmangshmen. Fatkeqësisht, askush nuk dëshiron të shohë njerëz të humbasin punën, por kjo duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Carragher.
Manchester Unitedi përballet me Sunderlandin, ekip i promovuar në Premier League, në ndeshjen e fundit para pushimit ndërkombëtar, përpara se të udhëtojë në Anfield për t’u përballur me Liverpoolin.