12:18 / E Diele, 21 Gusht 2022 / LB

Ish ministrja e Jashtme: Sorrollatjet e operativëve rus nuk janë risi, bazën e kanë në Nish të Serbisë

Ish ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stbulla ka thënë se sorrollatjet e operativëve rus nëpër territoret shqiptare nuk janë risi, dhe sipas saj, bazën nuk e kanë në Moskë të Rusisë por në Nish të Serbisë.

“E ashtuquajtura “Qendër Humanitare Ruso-Serbe” në Nish është vetëm 95km distancë ajrore me Prishtinën, dhe vetëm 280km me Tiranën. Ka dyshime të bazuara se kjo qendër kontraverze është epiqendër potenciale e spiunazhit, ndërsa mbetet e paqartë nëse Qeveria e Serbisë u ka aprovuar statusin e imunitetit diplomatik stafit të kësaj qendre”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Postimi i plotë:

Sorrollatjet e operativëve rus nëpër territoret shqiptare nuk janë risi, dhe bazën nuk e kanë në Moskë të Rusisë por në Nish të Serbisë:

– E ashtuquajtura “Qendër Humanitare Ruso-Serbe” në Nish është vetëm 95km distancë ajrore me Prishtinën, dhe vetëm 280km me Tiranën. Ka dyshime të bazuara se kjo qendër kontraverze është epiqendër potenciale e spiunazhit, ndërsa mbetet e paqartë nëse Qeveria e Serbisë u ka aprovuar statusin e imunitetit diplomatik stafit të kësaj qendre.

– Rusia poashtu mirëmban një të ashtuquajtur “Zyre Ndërlidhëse” në Prishtinë, e cila zyrtarisht është pjesë e Misionit Diplomatik Rus në Beograd, dhe të cilën institucionet e Kosovës asnjëherë nuk e kanë aprovuar formalisht. Pas luftës në Ukrainë, incidenteve në veri, dhe shpalljes non-grata të dy zyrtarëve rus nga MPJ e Kosovës, kjo zyre do të duhej tashmë të mos ekzistonte.

– Poashtu, Kosova do të duhej të rishikojë opsionet ligjore të akreditimit dhe imunitetit diplomatik të zyrtarëve të UNMIKut (sidomos pas vendimit të GJND-së), ku viteve të fundit shumë zyrtarë e operativë rus kanë gjetë strehë dhe janë infiltruar në incidentet në veriun e Kosovës.