75 Mall Live Search
08:42 / E Premte, 04 Korrik 2025 / Z S

Ish-opozita i përgjigjet qeverisë në detyrë për planin e rritjes

Përderisa mbi 60 milionë euro si parafinancim për Kosovën nga plani i rritjes së BE-së kanë mbetur peng i formimit të institucioneve të reja, konkretisht, konstituimit të Kuvendit, partitë politike drejtojnë akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim të këtyre fondeve.

Një ditë më parë qeveria në detyrë akuzoi partitë e deritashme opozitare për pengim të rrugës integruese të Kosovës dhe përfitimin e fondeve nga plani i rritjes i BE-së për shkak të siç ka thënë bllokadës që po ia bëjnë konsitutimit të Kuvendit.

Akuzave të qeverisë iu përgjigjen vetë partitë e ish-pozitës duke thënë se LVV-ja është bllokuesja që po pamundëson alokimin e këtyre mjeteve nga BE-ja.

Në PDK thonë se qeveria në detyrë po shtrembëron të vërteten pasi që fajtori kryesor që Kosova rrezikon t’i humbasë mjetet nga plani i rritjes është Albin Kurti dhe partia e tij.

“Qeveria ne detyrë apo qeveria që nuk ekziston vazhdimisht manipulon, deputeti Kurti. Çdo herë ka akuzuar ish-opozitën që po e dëmton interesin e shtetit por bllokuesi kryesor institucioneve është Kurti dhe partia e tij.   Është një tendencë për të falsifikuar të vërtetën është vetëm nëj adresë e këtyre bllokimeve dhe dëmtimeve të institucione, Kurti dhe LVV-ja. Ekziston rreziku me i humbë mjetet, është mundësi reale por prape eshët një adresë, Kurti”, ka thënë Qalaj për rtv21.

Edhe në LDK thonë mjetet mund të humbasin për shkak të bllokadës që LVV-ja po ia bënë konstituimit të kuvendit.

“Është krejtësisht absurde që partia me madhe që është  në detyrë me bë të tilla akuzash kundrejt nesh sepse ata janë fajtori kryesor pse kemi bllokade aktuale.. Ne po hyjmë në një krizë të thellë ekonomike e sociale dhe të marrëdhënieve me partneret …nëse sillemi kështu në mënyrë joserioze rrezikojmë t’i humbasim fondet, por përveç fondeve jemi duke humbur në ekonominë tonë”, ka deklaruar Zogaj për rtv21.

I pyetur për akuzat e qeverisë në detyrë rreth planit të rritjes kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ndërkaq tha se e keqja e Kosovës është Albin Kurti.

“Le t’i bëjë 61 vota e ta zgjedh kryeartin e qeverinë `ose të lëshojë rrugë. E keqja e Kosovës është Kurti”, tha Haradinaj për rtv21.

Këshilltari i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislmi, Klisman Kadiu ka thënë se si qeveri kanë përmbushur me kohë agjendën e reformave për përfitim nga fondet e BE-së, por që ato kanë mbetur peng i bllokadës në legjislativ.

Ndërkohë BE-ja ka inkurajuar Kosovën që ta përshpejtojë procesin e miratimit të marrëveshjeve sa i përket planit të rritjes në mënyrë që të zhbllokohet pagesa e parafinancimit.

Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i janë premtuar rreth 900 milionë euro, teksa për marrjen e parafinancimit nevojitet miratimi i marrëveshjeve në kuvend./Indeksonline/