Ish-presidenti i Brazilit nis dënimin me 27 vjet burg për komplot grusht shteti
Gjykata Supreme e Brazilit ka urdhëruar ish-presidentin e krahut të djathtë, Jair Bolsonaro, të fillojë vuajtjen e dënimit prej 27 vitesh e tre muajsh burg për komplotin për grusht shteti pas humbjes së zgjedhjeve të fundit.
Gjyqtari Alexandre de Moraes vendosi të martën se çështja kishte arritur në vendimin përfundimtar dhe se nuk ishin të mundshme apelime të tjera. Bolsonaro, 70 vjeç, u shpall fajtor për udhëheqjen e një komploti që synonte ta mbante në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022 ndaj rivalit të tij të majtë, Luiz Inácio Lula da Silva.
Ai do të nisë vuajtjen e dënimit në një qeli të policisë federale në kryeqytetin Brasilia, ku po mbahet që nga e shtuna, pasi u vlerësua si rrezik për arratisje dhe u largua nga arresti shtëpiak.
Gjatë një seance dëgjimore të dielën, Bolsonaro pranoi se kishte tentuar të hapte monitorin e kyçit të këmbës me një hekur saldimi derisa “erdhi në vete”, sipas dokumenteve të gjykatës. Ai tha se nuk kishte ndërmend të ikte dhe fajësoi “paranojën” e shkaktuar nga ilaçet për dëmtimin e pajisjes.
Gjyqtari Moraes urdhëroi të martën që Bolsonaros t’i ofrohet kujdes mjekësor i vazhdueshëm, pasi ekipi i tij mjekësor kishte raportuar përkeqësim të gjendjes shëndetësore.
Në vendimin e shpallur në shtator, kur Bolsonaro u shpall fajtor për komplotimin e një grushti shteti, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë thanë se ai kishte dijeni për planet për të vrarë Lulën dhe kandidatin e tij për zëvendëspresident, Geraldo Alckmin, si dhe për të arrestuar e ekzekutuar Moraesin, i cili po mbikëqyr procesin gjyqësor.
Komploti dështoi të siguronte mbështetjen e komandantëve të ushtrisë dhe forcave ajrore, ndërsa Lula u betua pa incidente më 1 janar 2023. Por një javë më vonë, më 8 janar, mijëra mbështetës të Bolsonaros sulmuan ndërtesat qeveritare në Brasília. Pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, rreth 1,500 persona u arrestuan.
Sipas gjyqtarëve, protestuesit u nxitën nga Bolsonaro, plani i të cilit – thanë ata – ishte që ushtria të ndërhynte dhe ta kthente atë në pushtet.
Atij i është ndaluar gjithashtu kandidimi për poste publike deri në vitin 2060 – tetë vjet pas përfundimit të dënimit.
Ish-presidenti e quajti gjyqin një “gjueti shtrigash”, të hartuar, sipas tij, për ta penguar të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026.

