Ish-presidentja e Lokomotivës për Mirlind Dakun: Të mos nxitohet me largimin

Ish-presidentja e Lokomotivës së Moskës, Olga Smorodskaya, ka dhënë një opinion të fortë në lidhje me të ardhmen e Mirlind Dakut, sulmuesin e Rubin Kazanit. “Daku nuk duhet të largohet tani, nuk ka nevojë të nxitohet.
Ka shumë arsye për këtë. Ai ende nuk e ka treguar më të mirën e tij te Rubini. Si Zeniti ashtu edhe Spartaku kanë mjaftueshëm lojtarë nga lista e tyre”, është shprehur Smorodskaya për RB Sport. Në merkaton e verës, Daku ishte shumë pranë transferimit te Zeniti i Shën Petersburgut, por marrëveshja u prish në minutat e fundit dhe palët nuk gjetën akordin përfundimtar.
Sezonin e kaluar, sulmuesi shqiptar spikati me formën e tij dhe përfundoi si golashënuesi i dytë më i mirë në Premier Ligën Ruse, i tejkaluar vetëm nga Manfred Ugalde. Këtë sezon, 26-vjeçari nga Gjilani e ka nisur sërish në ritme të larta, duke realizuar pesë gola në tetë ndeshje me fanellën e Rubin Kazanit.