75 Mall Live Search
20:14 / E Martë, 02 Shkurt 2021 / OSH

Ish-prokurori: Duhet hetuar incidenti i djeshëm ndaj Kurtit në Skenderaj

Ish prokurori kosovar, Sylë Hoxha, ka thënë se pamjet e djeshme nga incidenti në tubimin e Vetëvendosjes në Skënderaj nuk i kanë hije asnjë partie politike.

“Këto incidente dhe veprat penale i kam ndjekur deri para një viti. Nuk janë pamje të mira dhe nuk na kanë hije. Duhet ta zhvillojmë një fushatë të qetë dhe demokratike. Më së paku kemi nevojë për incidente të tilla. Si subjekte politike e kemi edhe afatin e limituar për fushatë pasi janë zgjedhje të parakohshme, prandaj është e kotë dhe e panevojshme që të merremi me këto incidente”.

“Askujt nuk i ka hije që të provokojë apo të shkaktojë incidente dhe pakënaqësi te qytetarët ose elektorati te cilido prej subjekteve”.

Hoxha, që ka qenë Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe Prokuror i Prokurorisë Speciale, ka thënë se ka vend për hetime lidhur me ngjarjen e mbrëmshme.

“Duhet të merret dikush me këtë çështje duke filluar nga policia dhe prokuroria. Nuk na ka hije që në shekullin e 21-të të merremi me këso incidente të panevojshme. Ato skena që i pamë mbrëmë në televizione me të vërtet nuk na kanë hije”.

Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se hetuesia duhet ta zbulojë nëse krejt ky incident ishte i qëllimshëm dhe i organizuar ndaj Albin Kurtit.

“Hetuesia duhet ta ndriçojë këtë rast. Ne nuk mund të supozojmë se kush, çfarë qëllimi ka pasë dhe si ka mundur ta organizojë. Duhet të ndërmerren masa prej prokurorisë që duhet të zhvillojë hetime, derisa edhe KQZ-ja ka normat e veta që duhet të ndërmarrë masa ndaj subjektit që shkakton incidentin”.

“Këtu ka vend për hetime. Është shkaktuar një incident. Ka mundur të bëhet incident edhe më i madh, por edhe kështu ka shkaktuar pasoja për Kosovën dhe subjektet politike. Nuk janë skena të mira që të na shohë dikush gjatë fushatës zgjedhore”.