08:48 / E Enjte, 15 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ish-prokurori shqiptar që bashkë me familje iu ndalua hyrja në SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llallës dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Vendimi i DASH-it thekson se vetë Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish-zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt u ndalohet hyrja në SHBA.

Ligji poashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre t’i miratojë privatisht ose publikisht, shkruan Top Channel.

Përveç Llallës, shefi i diplomacisë amerikane ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij që nuk ka shtetësinë amerikane.

Shkurtin e një viti më parë, kur ishte ende kryetar i organit të akuzës, Ambasada Amerikane në Tiranë i anuloi Llallës dhe së shoqes vizën diplomatike, veprim ky të cilin ish-kryeprokurori e priti me indinjatë të thellë e i dërgoi dhe një letër-ankesë Presidentit.

Por, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu e bëri të qartë pak ditë më parë se historinë e Llallës nuk do ta mbyllë as kërkesa e tij për të mos qenë më pjesë e sistemit të drejtësisë, e për pasojë, nuk mund të jetë subjekt vetting-u.

Përmes dy mesazheve në Twitter, Lu reagoi se vendimi për tërheqje nuk i shfajëson ish-zyrtarët nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre.

Kryetari i ILDKP Adriatik Llalla, gjate nje takimi mes krereve te Ministrise se Brendshme dhe drejtuesve te misionit PAMECA, ne hotel Sheraton.