Ish-të burgosurit palestinezë rrëfejnë tmerret në burgjet izraelite

Disa ish-të burgosur palestinezë kanë rrëfyer tmerret që kanë përjetuar në burgjet izraelite dhe dhunën e jashtëzakonshme që gardianët dhe policët kanë ushtruar ndaj tyre.
Ashraf al-Muhtaseb, me profesion muzikant, ka rrëfyer për The Guardian se është larguar nga burgu izraelit me veshin e majtë të shurdhër, 4 fraktura në brinjë, një dorë të thyer dhe aq i sëmurë e i dobët nga uria, sa nuk mund të ecte më.
Ai u shpreh se një prej policëve e la në një zonë, të vetmuar dhe të pafuqishëm, ndërsa ai u zvarrit drejt shtëpisë së tij në Bregun Perëndimor. Më tej, u gjet nga një kalimtar i rastit, i cili e shpëtoi.

Gruas së tij i ranë të fikët kur e panë, ndërsa djali e pyeti: “Kush je ti? Je babi?”. Muhtaseb u arrestua më 8 tetor 2023 dhe nuk u akuzua deri në lirimin e tij, më 7 prill 2024. Në këto muaj, 53-vjeçari u shpreh se ka shkuar në 3 burgje izraelite, ka përjetuar një maratonë torturash, abuzimi dhe poshtërimi dhe ka humbur 30 kilogramë.
Ai tha se mbeti i shurdhër nga një vesh gjatë një sulmi në qelinë e tij në burgun “Ketziot” në nëntor: “U rraha dhe u godita në shpinë, kraharor dhe kokë. E kisha një anë të kokës të anuar nga muri, ndërsa merrja goditje nga ana tjetër. Të nesërmen, nuk mund të dëgjoja”.
Abuzimi, uria dhe poshtërimi, sipas tij, ishin pjesë e një modeli që ndiqej karshi palestinezëve dhe kjo u konfirmua dhe në 8 intervista të tjera të kryera nga The Guardian dhe dhjetëra të tjera të bëëra nga grupi i të drejtave të njeriut, “B’Tselem”.
“Personat e përshkruan abuzimin aq të shumtë dhe sistematik, sa tanimë mund të konsiderohet edhe si një politikë shtetërore”, u shpreh drejtorja ekzekutive e grupit, Yuli Novak.
“Burgjet izraelite janë shndërruar në “kampe torture”, në të cilat të paktën 60 palestinezë kanë humbur jetën, që prej 7 tetorit 2023”, shtoi ajo, referuar nisjes së luftës së përgjakshme në Gaza.
Të burgosurit thanë se i janë nënshtruar dhunës së rëndë e të rregullt, duke përfshirë edhe sulmet seksuale dhe përdhunimet. Asnjë prej të burgosurve të intervistuar nga The Guardian nuk mundi të largohej nga paraburgimi pa përjetuar ose dëshmuar një formë të sulmeve. Abuzimet e poshtërimet ishin të vazhdueshme, duke nisur që nga racionet e pakëta, te mohimi i aksesit në gjërat bazike të higjienës, duke përfshirë pecetat higjienike për gratë, sapunin, peshqirët, rrobat dhe ujin për të pirë dhe bërë dush.

Përshkrimet e “B’Tselem” për abuzimin sistematik u bëjnë jehonë rrëfimeve të ngritura edhe më parë, kur shërbimi i inteligjencës në vend bëri thirrje se burgjet po kryenin krime të luftës dhe trajtime çnjerëzore. Në qershor të këtij viti, në një letër dërguar në institucionet e burgjeve në Izrael, u bë me dije se po shkelej dhunshëm konventa kundër torturës së të burgosurve.
Shërbimi i Burgjeve në Izrael (IPS) tha se burgjet funksiononin sipas ligjit dhe ishin nën kontrollin e demokracisë. “Ne s’jemi në dijeni të pretendimeve që përshkruani dhe mesa dimë, asnjë ngjarje e tillë nuk ka ndodhur nën përgjegjësinë e IPS”, u shpreh Shërbimi në një deklaratë.
Ndërsa ushtria izraelite tha se i hedh poshtë këto akuza të drejtpërdrejta në lidhje me abuzimin sistematik të të burgosurve dhe se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin izraelit dhe atë ndërkombëtar. “Abuzimi i të burgosurve gjatë ndalimit ose marrjes në pyetje ishte rreptësisht i ndaluar dhe pretendimet u shqyrtuan”, u shpreh ushtria në një deklaratë.
Megjithatë, asnjë nuk u përjashtua nga dhuna izraelite. Gratë palestineze ranë gjithashtu pre e abuzimit. Një studente 23-vjeçare, Maryam Salhab, u shpreh se u arrestua më 26 tetor dhe për disa orë fytyra e saj ishte e ngjeshur në baltë, këmbët dhe duart të prangosura dhe u rrah nga ushtarët izraelitë. Në një moment, ajo tha se dy prej tyre iu ulën mbi shpinë.
“Më mbytën. Nuk merrja dot frymë dhe pashë vdekjen me sy”, tha ajo, duke shtuar se burrat qëndruan sipër saj për 2-3 minuta, duke biseduar me njëri-tjetrin, ndërsa mbi të rëndonte pesha e trupit të burrave, por dhe armët e tyre.
Ajo rrëfeu se më tej u transportua në një qeli, muret e së cilës ishin lyer me të vjellat e një të burgosuri të mëparshëm, i cili kishte një sëmundje infektive. Duke qenë se çezmat ishin të mbyllura, nuk kishte asnjë mundësi të pastronte.
Lama al-Fakhuri, 48 vjeç, me profesion shkrimtare, iu bashkua studentes në qeli dhe dëshmoi se iu mohuan pecetat higjienike. Ajo tha se të dyja gratë u përballën me kërcënime përdhunimi dhe se u dhunuan verbalisht. As ato nuk u akuzuan kurrë dhe u liruan 5 javë me vonë, më të dobëta fizikisht.
Ndërsa Musa ‘Aasi, piktor dhe babai i katër fëmijëve, u shpreh se kishin dëgjuar rojet të rrihnin për vdekje një 38-vjeçar të quajtur Tha’er Abu ‘Asab.
Ndërsa në burgjet izraelite ndodhin gjithë mizoritë, ministritë izraelite shprehen krenare për politikën dhe situatën nëpër burgje, duke shprehur qartë se “terroristët palestinezë” nuk do të kenë kushte më të mira. Ahmed Khalefe, avokat i të drejtave të njeriut nga veriu i Izraelit, i cili u arrestua në një protestë kundër luftës, u shpreh në një seancë gjyqësore për dhunën që dëshmoi në burg.
Gjatë kthimit për në qeli, ai u dhunua dhe kërcënua. “Ata më thanë nëse do të flisja përsëri [për abuzim] do të më vrisnin,” tha Khalefe, i cili është ende në arrest shtëpiak.
Ai përshkroi pellgje gjaku në dysheme dhe pa rojet e burgut që kërcenin mbi këmbët dhe shpinën e një burri 80-vjeçar. “Ai thjesht qau. Ne përfunduam duke u kujdesur për njerëzit e torturuar, edhe pse ata nuk kishin ilaçe”, tha avokati.
Thuhet se në burgun e “Ketziot”, rojet e burgut kishin varur një tabelë ku shkruhej në arabisht dhe hebraisht “Mirë se erdhët në ferr!”.