21:22 / E Hënë, 28 Maj 2018 / indeksADMonline

Ish zëvendësministri mungon në gjykim, jepet urdhër të sillet me forcë

Ish-zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qazim Rrahmani që është duke u gjykuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka munguar në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Mungesa e Rrahmanit, për të cilin prokuroria pretendon se ka keqpërdorur mbi 12 mijë euro të MPMS-së, bëri që ky shqyrtim gjyqësor të mos mbahet.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Isuf Bytyqi, tha para trupit gjykues të udhëhequr nga gjykatësi Naser Foniqi se klienti i tij, e kishte njoftuar atë se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të marrë pjesë në seancë.

“Klienti më ka thirr pas orës 10 dhe më ka njoftu se është i sëmurë dhe është duke i bërë disa analiza mjekësore, për atë arsye më ka njoftu se nuk mundët me prezentu”, tha Bytyqi.

Ndryshe, në gjykatë ishin të pranishëm prokurorja Dulina Hamiti, përfaqësuesi MPMS-së Shefqet Hasimja, si palë e dëmtuar dhe dëshmitarët Nexhat Syla, Driton Dërmaku, dhe Nexhat Shabani të cilëve do të i duhet edhe njëherë të vijnë në gjykatë për të dëshmuar.

Gjykatës Foniqi, deklaroi se i akuzuari Qazim Rrahmani nuk ka dhënë asnjë arsyetim për mungesën e tij dhe lidhur për këtë fakt shtoi se për seancën e radhës e cila është caktuar më 6 korrik në ora 9:00, do të lëshohet urdhër që policia ta sjell me detyrim.

Në seancën e kaluar të 6 marsit 2018, përfaqësuesi i MPMS-së, Shefqet Hasimja, kishte deklaruar se Ministria nuk e ndien veten si palë të dëmtuar pasi sipas tij, paratë që thuhet se Rrahmani i ka keqpërdorur, ka filluar t’i kthejë dhe deri tani i ka kthyer 7,504.00 euro dhe se ka premtuar se edhe 4,858.00 do t’i kthejë.

Në bazë të aktakuzës, Qazim Rrahmani, gjatë kohës në të cilën ka ushtruar pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke e shfrytëzuar këtë pozitë ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore në mënyrë që t’i sjellë vetës përfitim pasuror.

Prokuroria pretendon se Rrahmani, gjatë periudhës qershor 2015 e deri në janar 2016, nga kartela bankare, zyrtare, e destinuar për udhëtime jashtë vendit, ka nxjerrë shumën prej 12.363.40 euro, pa pasur aprovim për udhëtime zyrtare.

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga shuma e përgjithshme e cila ishte tërhequr, MPMS-së, Rrahmani ia ka kthyer 7.504.51 euro, ndërsa dëmi aktual ndaj MPMS-së arrin vlerën prej 4.858.89 euro.