Ish-zv/ministri Gani Dreshaj me letër të hapur: Politika energjetike në Kosovë po çon vendin drejt eksodit

Ish-zëvendësministri i Jashtëm, ish-deputeti dhe biznesmeni i njohur, Gani Dreshaj, ka reaguar ashpër ndaj politikave energjetike të Qeverisë së Kosovës.
Përmes një letre të hapur, ai ka akuzuar ekzekutivin se po i vështirëson jetën industrisë në vend, në vend që ta mbështesë.
Dreshaj shkruan se se ndryshe nga Gjermania – një vend i fuqishëm industrial që i ndihmon ndërmarrjet me konsum të lartë të energjisë – Kosova ka zgjedhur të rrisë çmimet në nivele që po i detyrojnë kompanitë të mendojnë për largim dhe po i frikësojnë investitorët.
“Pasojat janë dramatike: ndërmarrjet po shohin ekzistencën e tyre të rrezikuar, vendet e punës janë në lojë dhe rinia po humb çdo perspektivë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, mijëra të rinj tashmë po e lënë vendin dhe politika aktuale energjetike po i shtyn edhe më shumë drejt emigrimit.
Ai e ka quajtur “të turpshme” këtë qasje të qeverisë, e cila sipas tij po vepron sikur vendit nuk i duhet industri dhe zhvillim ekonomik.
Tutje Dreshaj i ka bërë thirrje qeverisë që ta ndalojë menjëherë këtë politikë të papërgjegjshme dhe të ofrojë një strategji të qartë ekonomike:
“Na duhet siguri për investime, çmime të qëndrueshme të energjisë dhe një vizion i qartë për ekonominë. Vetëm kështu mund t’i japim shpresë të rinjve dhe ta bëjmë vendin tonë të aftë për të ardhmen”, ka shkruar ai. /IndeksOnline/
Postimi i plotë:
Letër e hapur për politikën energjetike në Kosovë
Kosova sot është i vetmi vend në Evropë ku qeveria nuk e mbështet industrinë, por përkundrazi ia vështirëson jetën. Ndërsa Republika Federale e Gjermanisë – një shtet i fuqishëm industrial – i del në krah ndërmarrjeve me konsum të lartë energjie përmes pakove të ndihmës, qeveria jonë në Kosovë i rrit çmimet e energjisë elektrike në një shkallë të tillë, sa që kompanitë po mendojnë për t’u larguar dhe investitorët po frikësohen.
Pasojat janë dramatike: ndërmarrjet po shohin ekzistencën e tyre të rrezikuar, vendet e punës janë në lojë dhe rinia po humb çdo perspektivë. Qysh tani mijëra të rinj po e lënë vendin, e me këtë politikë energjetike ata po shtyhen përfundimisht drejt emigrimit. Kosova kështu nuk po bëhet vend i së ardhmes, por vend i eksodit.
Është e turpshme ajo që po ndodh. Në vend që të krijohet një ambient që e mbështet industrinë dhe hap vendet e punës, qeveria vepron sikur të mos na duhej fare industri – sikur vendi ynë të mund të jetonte vetëm me sarkazëm dhe satirë. Por realiteti është i hidhur: ne po e humbim fuqinë ekonomike që na duhet aq shumë për zhvillim.
Unë i bëj thirrje qeverisë: Ndërpriteni menjëherë këtë politikë të papërgjegjshme! Na duhet siguri për investime, çmime të qëndrueshme të energjisë dhe një strategji e qartë për ekonominë. Vetëm kështu mund t’i japim shpresë të rinjve dhe ta bëjmë vendin tonë të aftë për të ardhmen.