12:31 / E Enjte, 11 Qershor 2020 / indeksADMonline

Ish-zv.ministri i Ekonomisë: Pritet të ketë rënie ekonomike midis vlerës 4 % – 6%

Ish-zëvendës ministri i Ekonomisë, Agim Krasniqi, në një postim të bërë në Facebook, ka folur rreth gjendjes aktuale ekonomike në vend, si pasojë e pandemisë COVID-19.

Ai ka thënë se ashtu edhe si në rajon edhe Kosova, pritet të ketë rënie ekonomike midis vlerës 4 % – 6%.

Krasniqi, ka thënë se për herë të parë sikurse edhe në ekonomitë e tjera edhe në Kosovë një pjesë të faturës së krizës të sektorit privat duhet transferuar në atë publik.

Ai shton se për të ndodhur kjo Qeveria pa humbur kohë duhet përgatitur planin që të rishikojë shpenzimet publike, të përshtatë këto shpenzime me të hyrat reale ekonomike dhe të sigurojë fondet e domosdoshme për implementim të paketëss emergjente dhe paketës për rimëkëmbje ekonomike.

Ky është postimi i plotë i tij:

Ne vitin 2020 pritjet janë se ekonomia globale duke përfshirë edhe rajonin tanë për shkak të pandemisë do të kenë rënie ekonomike. Edhe ekonomia e Kosovës nuk bën përjashtim nga këto zhvillime të përgjithshme ekonomike. Megjithatë rënia ekonomike dhe potencialet për rikthim janë të ndryshme për secilën ekonomi nacionale. Pritjet reale janë se do të kemi për herë të parë në Republikën e Kosovës rënie ekonomike midis vlerës 4% – 6%. Sa do të jetë saktësisht rënia ekonomike në vitin 2020 dhe posaçërisht si do të janë zhvillimet e ardhshme ekonomike varen shumë nga ritmi i intervenimit të qeverise në ekonomi. Ky është vit ku intervenimi i qeveris në këtë kohë pandemie do të ketë rolin kryesor në zhvillimet e përgjithshme ekonomike e që dallon nga vitet tjera kur roli i qeveris ka qenë i rëndësishëm por jo sa është sot ku edhe zhvillimet e sektorit privat varen shumë nga veprimet e qeveris.
Qeveria tani më ka prezantuar një program ku do të kombinojë politikat dhe masat në mënyrë që të kemi në gjysmën e dytë të vitit 2020 një trend ngadalësues të humbjeve në ekonomi dhe të krijojë bazën e duhur për ri ngritje sa më të shpejtë të ekonomisë. Masat e ndërmarra nga qeveri do të sigurojnë stabilitetin makro-fiskal dhe do të krijojnë parakushtet për ringjallje të sektorit privat për të siguruar që në vitin 2021 në rastet se nuk do të kemi rikthim të pandemisë, të kemi një ri ngritje ekonomike.
Për herë ta parë sikurse edhe në ekonomit tjera edhe në Kosovë një pjesë të faturës së krizës të sektorit privat duhet transferuar në atë publik. Për të ndodhur kjo qeveria pa humbur kohë ka përgatitur planin që të rishikoj shpenzimet publike, të përshtat këto shpenzime me të hyrat reale ekonomike dhe të siguroj fondet e domosdoshme për implementim të pakos emergjente dhe pakos për rimëkëmbje ekonomike. Këtë vit dhe vitin e ardhshëm, qeveria do të kujdeset që shpenzimet e rregullta rrjedhëse të mos rriten, të ruaj nivelin e investimeve publike në nivele të kënaqshme duke investuar në projektet e filluara tani më dhe në projekte me fizibilitetin më të lartë të kthimit.
Kosova si shtet i ri ka nivelin e borxhit publik më të ulëtin në rajon dhe me gjerë, këtë përparësi në pjesën më të madhe duhet ta shfrytëzoj për rikthim dhe zhvillim të sektorit privat duke garantuar dhe subvencionuar ato fusha që kanë perspektiv në tregun e brendshëm dhe potencial për të eksportuar në tregun e jashtëm.
Ky kurs qeveritar, siguron Kosovës që në periudhën afatmesme të ketë stabilitet dhe zhvillim të përgjithshëm ekonomik e që pastaj do të përcillet edhe me rritje të shpenzimeve publike dhe mirëqene më të madhe shoqërore.
Potenciali ekonomik dhe financiar ekziston. Tani nevojitet që Institucionet e Republikës së Kosovës duke përfshire Qeverinë, Kuvendin e Republikës së Kosovës, Komunat, BQK dhe Institucionet tjera shtetërore të marrin përgjegjësit e tyre që ju takojnë. Vonesat në marrjen e këtyre përgjegjësive sjellin efekte tejet negative për ekonomin dhe ulje të mirëqenies së qytetareve për shumë vjet.