75 Mall Live Search
23:11 / E Mërkurë, 31 Janar 2024 / S Z

Ish-zyrtari i AAK-së kërkon që Pal Lekaj të jap dorëheqje nga partia

Ish-anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, i ka kërkuar dorëheqjen nga kjo parti, Pal Lekaj, të cilit sot gjykata e shpalli fajtor për ndarjen e 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Ai në një postim në Facebook, ka thënë se me një veprim të tillë Lekaj i bënë nder vetes dhe partisë.

“Meqenëse procesi nuk ka përfunduar dhe është herët që të prejudikohet fajësia apo pafajësia e z. Lekaj, i takon atij që procesin e dyshuar ta mbroj vet në cilësinë e qytetarit e jo duke mbajtur pozicionin e deputetit dhe nënkryetarit të AAK-së. Pali me dorëheqje i bën nder vetes dhe partisë”, ka shkruar ai.

Sipas aktgjykimit, Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.