Ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, arrestohet një 54-vjeçar në Kaçanik

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar nga gjykata në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, në fshatin Semaj të Kaçanikut, transmeton IndeksOnline.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 06:10, njësitë policore të stacionit në Kaçanik kanë arritur të lokalizonin dhe të vinin në pranga të dyshuarin A.I., 54 vjeç, i cili ishte në kërkim në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
I arrestuari ishte dënuar me tre (3) vjet e gjashtë (6) muaj burgim për veprën penale: “Lëndim i rëndë trupor”. Pas përfundimit të procedurave policore, ai është dërguar për të vuajtur dënimin e shqiptuar nga gjykata.
Policia rajonale e Ferizajt ka ritheksuar përkushtimin e saj në zbatimin e urdhëresave gjyqësore dhe në forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë rajonin./IndeksOnline/