75 Mall Live Search
09:13 / E Enjte, 28 Nëntor 2019 / indeksADMonline

“Ishte ky flamur, i nxjerrë nga rrënojat, që për pak çaste e largoi dhimbjen e përzishme dhe ktheu dritën e shpresës”

Ministri i Brendshëm Shqiptar, Sandër Lleshaj, përmes një shkrimi të bërë në Facebook ka thënë se 28 Nëntori i sivjetëm na gjen të goditur fort, por jo të thyer.

Ai ka publikuar një fotografi, ku shihet se flamuri kombëtar u gjet në nën rrënoja në Thumanë, derisa shkruan:

Ky flamur, që u gjet pak minuta para mesnatës së mbrëmshme, shumë pranë viktimave të fundit të nxjerra nga gërmadhat në Thumanë, sikur i ndriçoi sytë dhe zemrat e heronjve shqiptarë, që edhe me thonj kanë gërmuar pa pushim për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej.

Ishte ky flamur, i nxjerrë nga rrënojat, që për pak çaste e largoi dhimbjen e përzishme dhe ktheu dritën e shpresës.

Le të jetë ky flamur, lutja jonë për shpirtrat e atyre që e lanë pas, si simbolin më të lartë që bën bashkë shqiptarët kudo që janë dhe mesazhi ynë për nderimin e Festës sonë kombëtare.

Rroftë Shqipëria!