75 Mall Live Search
09:01 / E Martë, 17 Qershor 2025 / AR

“Ishte një kasaphanë”! Mjekët në Iran po luftojnë për jetë mes kaosit të luftës me Izraelin

Spitalet në Iran janë kthyer në skena lufte, ku mjekët dhe infermierët, të rraskapitur dhe të mbingarkuar, po përballen me një numër të papërballueshëm të të plagosurve nga përleshjet e përgjakshme mes Izraelit dhe Iranit, tashmë në ditën e katërt.

“Ishte një kasaphanë e vërtetë,” tha një mjek në spitalin Imam Khomeini në Teheran. “Britma, kaos, trupa pa jetë dhe fëmijë të gjakosur që mbaheshin në duart e nënave të plagosura.”

Nga fëmijët e vegjël deri te të moshuarit, pacientët vijnë pa ndalur. Shumë mbërrijnë me plagë të rënda nga fragmentet e bombave izraelite, me djegie të mëdha, fraktura, gjakderdhje të brendshme. Shumë të tjerë nuk arrijnë të mbijetojnë dot deri në sallën e operacionit.

Që prej së premtes, kur Izraeli nisi një valë të papritur bombardimesh ajrore për të, sipas tij, “penguar programin bërthamor iranian”, situata është përshkallëzuar me shpejtësi. Irani u kundërpërgjigj, dhe bilanci i viktimave po rritet orë pas ore.

Shifrat zyrtare flasin për 1,277 të plagosur dhe 224 të vdekur, por mjekët në terren paralajmërojnë: numri real është shumë më i lartë.